Bardhi i PD-së kritikon Ramën: Kritika për vëllain nuk jepet në publik, jo si thikë shpinës
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së në Shqipëri, Gazmend Bardhi, ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për fjalimin e tij me thumba për kryeministrin Albin Kurti.
Bardhi këtë e quajti thikë pas shpine dhe tha se këshillat vëllai-vëllait ia jep privatisht e jo në publik.
“Pa diskutim që unë nuk do ta prish traditën e shqiptarit për ta kthyer këtë mbledhje të sotme të dy kuvendeve tona në një transformim të luftës tonë të brendshme në Shqipëri. Mund të flisja shumë se çfarë ka ndodhur në këto dhjetë vite në Shqipëri, mund të flisja shumë edhe se si janë marrëdhëniet mes dy vëllezërve, Kosovës e Shqipërisë, gjatë këtyre viteve të fundit, por nuk kam ndërmend ta kthej këtë në një fushatë elektorale apo të përdor Kosovën për fushatë elektorale. Nuk e kemi bërë kurrë dhe nuk do ta bëjmë kurrë”.
“Por, një mesazh referuar nga fjala që kryeministri [Rama], që në fakt e lanë nervat dhe e braktisi sallën, foli sot para deputetëve, ne shqiptarët kemi një traditë: vëllait nuk ia themi kurrë këshillën në publik, nuk ia themi kurrë këshillën në lagje, vëllait këshillën ia themi në shtëpi me zë të ulët që të mos na dëgjojnë të tjerët. E kundërta e kësaj, një këshillë edhe kur është e drejtë e thënë në publik e lëndon vëllain, e dobëson pozitën e tij në arenën ndërkombëtare dhe sigurisht është një thikë pas shpine për vëllain tonë, Kosovën tonë të dashur”./Express/