BDI: Katër muaj heshtje nga Burim Latifi për dëmin prej 19,3 milionë euro në MEPSO

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar sërish transparencë dhe përgjegjësi institucionale lidhur me rastin në Operatorin e Sistemit Elektroenergjetik të Maqedonisë – MEPSO, duke akuzuar institucionet kompetente se, katër muaj pas ngritjes së çështjes në opinion, ende nuk kanë dhënë përgjigje konkrete.

Sipas BDI-së, në procedurën paraarbitrale para DAB-it, MEPSO ka humbur një pjesë të rëndësishme të kontestit me vlerë rreth 19,3 milionë euro, ndërsa vendimi ka qenë në favor të kompanisë “Energoinvest”. Çështja, sipas partisë, tani pritet të vazhdojë në procedurë arbitrazhi, ku ndërmarrja shtetërore do të duhet të mbrojë pozicionin dhe pretendimet e saj.

BDI ngre gjithashtu pikëpyetje për një kontratë të re milionëshe të MEPSO-s me konsorciumin e udhëhequr nga “Dalekovod”, ku, sipas partisë, marrin pjesë edhe “Kodar Energomontaža” nga Beogradi dhe “Elnos BL” nga Banja Luka.
Partia kërkon përgjigje se kush ka marrë vendimin për ndërprerjen e kontratës paraprake, kush e ka vlerësuar rrezikun juridik dhe financiar dhe kush do të mbajë përgjegjësi në rast se shteti pëson dëme shtesë në procedurën e arbitrazhit. “Pyetja nuk është vetëm për drejtorin Burim Latifi”, thekson BDI, duke kërkuar që në rast të përfshihen edhe institucionet përgjegjëse për kontrollin dhe hetimin e mundshëm të vendimeve të ndërmarra në MEPSO.

BDI u është drejtuar publikisht Prokurorisë Publike dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke kërkuar informacion nëse është hapur ndonjë lëndë, cilat veprime janë ndërmarrë dhe nëse po shqyrtohen kontratat, vendimet dhe përgjegjësia eventuale për dëmin financiar. Në kumtesë, BDI kërkon gjithashtu transparencë të plotë lidhur me kontratën e re dhe pjesëmarrjen e kompanive nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përkatësisht Republika Srpska, në konsorciumin që ka lidhur marrëveshje me MEPSO-n. “Katër muaj heshtje janë shumë”, porosit BDI, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse përgjigje konkrete se kush i ka marrë vendimet, mbi çfarë baze janë marrë ato dhe kush do të mbajë përgjegjësi për pasojat eventuale financiare.

By admin7