BDI: Ku përfunduan 1.2 milionë euro të qytetarëve të Çairit?

Pasi kryetari I komunës së Çairit Visar Ganiu, tha se Qyteti i Shkupit ka mbledhur rreth 18 milionë euro nga qytetarët e Çairit dhe nuk ka investuar as edhe një milionë, deklaratë për të cilën i është përgjigjur Danella Arsovska, që siç tha, taksat që paguajnë banorët e kësaj komune, ndahen proporcionalisht dhe nuk kalojnë vlerën e 1,2 milionë eurove, përcjell TV21. Në lidhje me këtë, ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim, që siç thotë, është një skandal i madh që kërkon hetim pasi nuk dihet ku kanë shkuar një shumë kaq e madhe e taksapaguesve. BDI kërkon hetim se ku janë investuar këto para dhe kush është përgjegjës për këtë, që BDI e quan skandal.

“Deklarata e Kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, se 1.2 milionë euro të mbledhura nga taksat e qytetarëve të Çairit nuk dihet se ku kanë shkuar, përbën një skandal të madh dhe kërkon një hetim të menjëhershëm dhe transparent. Akuza se një shumë kaq e madhe parash publike nuk është e qartë se si është shpenzuar, tregon për një abuzim të rëndë me fondet e qytetarëve dhe një keqmenaxhim skandaloz nga ana e administratës komunale. Qytetarët e Çairit meritojnë një përgjigje të qartë: Ku janë investuar këto para? Kush mban përgjegjësi për këtë skandal?
BDI kërkon që institucionet përkatëse të ndërmarrin kontrolle të detajuara financiare për të sqaruar se si janë menaxhuar këto fonde dhe nëse ka pasur keqpërdorime. Transparenca dhe llogaridhënia janë detyrim ndaj qytetarëve dhe askush nuk mund të fshihet pas lojërave politike kur bëhet fjalë për taksat e njerëzve”, thotë BDI.