BDI: Stoillkoviq u dekorua për masakrat ndaj shqiptarëve në vitet 1912-1918, e njohur si periudhë gjenocidale!

115

Bashkimi Demokratik për Integrim tha se ministri Ivan Stoillkoviq është dekoruar nga Shoqata Serbe e Vullnetarëve të Luftës 1912-1918, që këtë, BDI e quan ofendim dhe provokim që siç thotë, është histori e errët të krimeve të kryera nga forcat vullnetare serbe kundër shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve 1912-1918 e njohur si periudhë gjenocidale. BDI tha se, ky akt është përpjekje për të legjitimuar krimet e së kaluarës dhe për të fyer kujtimin e mijëra viktimave shqiptare.

“Vendimi i Shoqatës Sërbe të Vullnetarëve të Luftës 1912-1918 për t’i dhënë dekoratën “ Vojvoda Vuk” Zëvendëskryeministrit Ivan Stoiljković është një akt thellësisht ofendues dhe provokues, veçanërisht duke marrë parasysh historinë e errët të krimeve të kryera nga forcat vullnetare serbe kundër shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve 1912-1918 e njohur si periudhë gjenocidale.

Në atë periudhë, veçanërisht gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, popullata civile në territoret e sotme të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht shqiptarët, u përballën me spastrim etnik, masakra dhe zhvendosje masive.

Burime historike dëshmojnë për djegie fshatrash të tëra shqiptare, përdhunime, tortura dhe ekzekutime masive.

Në Tetovë, Gostivar, Shkup, Kërçovë dhe shumë rajone të tjera, shqiptarët u vunë në shënjestër nga forcat serbe, duke i trajtuar ata si pengesë për projektin e asimilimit dhe zgjerimit territorial serb.

Sipas dëshmive historike, mbi dhjetra mijëra shqiptarë u vranë, dhe mijëra të tjerë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre.

Në disa raste, barbarizmat përfshinin përdhunime dhe djegie të gjalla të civilëve shqiptarë.

Këto krime jo vetëm që lanë plagë të thella te populli shqiptar, por edhe forcuan ndarjet dhe tensionet etnike që ende ndihen sot.

Është një ironi tragjike që një zyrtar qeveritar, i cili udhëheq ministrinë përgjegjëse për marrëveshjen e Ohrit dhe përfaqëson një shtet që duhet të promovojë pajtimin dhe bashkëjetesën, pranon një dekoratë nga një shoqatë që lidhet drejtpërdrejt me një periudhë kaq të dhimbshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe e publikon atë si mirënjohje.

Ky akt nuk është asgjë më pak se një përpjekje për të legjitimuar krimet e së kaluarës dhe për të fyer kujtimin e mijëra viktimave shqiptare.

Nderimi i kujtimit të viktimave dhe pranimi i të vërtetave historike janë themeli i vetëm për pajtim dhe të ardhme të përbashkët.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk do të heshtin përballë tentativave për të legjitimuar padrejtësitë e historisë”, thotë BDI.

Comments