Bojkoti i marketeve nga qytetarët/ Disa markete tashmë kanë ulur çmimet, e disa të tjera nesër do të mbyllen!
Nesër qytetarët kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë marketet, për shkak të rritjes së çmimeve. Disa nga marketet kanë reflektuar duke ulur çmimet ndërsa të tjera duket se do të përdorin një strategji, duke mbyllur nesër marketet me arsyetimin e evidencës së produkteve.
“Për ditën e nesërme është paralajmëruar bojkot i të gjitha marketeve nga ana e qytetarëve ndërsa ato që anketuam sot, disa shprehen se janë pro këtij bojkoti ndërsa disa të tjerë thonë se nuk kanë nevojë që të bojkotojnë sepse edhe ashtu janë në fund të muajit dhe nuk kanë se çfarë të shpenzojnë”, raporton gazetari i Alsat, Avni Tahiri.
“Ndoshta nuk do të arrihet asgjë por do të jetë një vërejtje edhe për qeverinë edhe për tregtarët. Është e mirë që është në nivel të ish Jugosllavisë dhe përse edhe ne të mos jemi pjesëmarrës, bojkot në një mënyrë sepse vërtetë çmimet janë të larta për standardin tonë dhe mendoj se do të ndikoje pak”, tha një qytetar.
“A do të bojkotoni? Po, do të bojkotoj. A keni blerë sot? Jo, gjërat elementare dhe asgjë më shumë. Mendoni se do të dërgohet porosia me bojkotin? Jo edhe aq shumë por t’i rikujtojmë se nuk jemi të kënaqur me çmimet e larta por mendoj se nuk do të arrihet diçka e veçantë”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Mendoj se nuk mjafton vetëm në një ditë, bojkoti duhet të zgjasë më shumë nëse duam të ketë ndonjë efekt por nuk është vetëm ajo, shumë gjëra duhet të bojkotohen në këtë shtet”, u shpreh një qytetar tjetër.
Por edhe marketet nuk rrinë duarkryq. Disa nga to kanë marrë menjëherë masa duke ulur çmimet ndërsa disa kanë paralajmëruar të mbyllin dyert për konsumatorët dhe të shfrytëzojnë ditën e nesërme për të bërë evidencë të produkteve.
Thirrja për qytetarët që të premten të mos bëjnë blerje në markete nisi në rrjetet sociale për shkak të çmimeve të larta të produkteve, duke ndjekur shembullin e Kroacisë, dhe vendeve tjera të rajonit.
Institucionet ditë më parë paralajmëruan se do të ketë kontrolle në terren dhe do të kontrollojnë situatën me çmimet neper markete dhe objekte tjera komerciale./ Alsat.mk