BORDI I RTK-SË REAGON PAS INICIMIT PËR SHKARKIM

345

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës vlerëson se inicimi nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtetit Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e Bordit të RTK-së është i ndërtuar mbi kualifikime politike rreth proceseve në RTK dhe për asnjë moment mbi të vërtetat faktike.

Bordi i RTK-së gjithashtu thotë se ka argumentuar dhe faktuar në secilin raportim të komisioneve përkatëse të gjitha vendimet dhe veprimet e veta, në përputhje të plotë me rregulloret e veta dhe ligjin e RTK-së, njofton Insajderi.

“Kujtojmë se raporti i Auditorit të Pavarur për vitin 2020 e ka cilësuar atë të pakualifikuar, duke renditur si një ndër raportet më të mira të pasqyrave financiare të RTK-së. Sa i përket auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), konfirmojmë se Bordi i RTK-së ka qenë dhe është gjithmonë i hapur të auditohen pasqyrat financiare të këtij mediumi”.

“Më 22 prill 2021, Bordi i RTK-së unanimisht kishte njoftuar ZKA-në se është e mirëpritur që të vijë dhe të bëjë auditimin financiar. Sa i përket auditimit të mëparshëm, ZKA ka audituar RTK-në mbi performacën. Për auditimin financiar, ZKA ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me kufizimet ligjore, prandaj i është drejtuar Zyrës Ligjore të Kuvendit për të sqaruar kompetencën e saj rreth auditimit të pasqyrave financiare të RTK-së. Megjithëkëtë, RTK, paraprakisht, nëpërmjet deklaratës publike, të lëshuar më 22 prill 2021, ka bërë të ditur se mirëpret ZKA-në të vijë dhe të auditojë pasqyrat financiare të RTK-së, pavarësisht përgjigjes nga Zyra Ligjore e Kuvendit”.

Bordi i RTK-së në krye me Sali Bashotën thotë se ka qenë dhe mbetet i hapur për të dhënë përgjigje ndaj Kuvendit të Kosovës, si themelues i RTK-së, për çdo çështje që ka të bëjë me fushveprimtarinë e tij.

Po ashtu, ky bord njofton se së shpejti do të dalë për publikun me një përgjigje të detajuar për të gjitha dilemat e ngritura publikisht nga komisionet përkatëse të Kuvendit të Kosovës, të cilat, sipas tij, qëllimisht kanë deformuar të vërtetën mbi punën dhe zhvillimin e RTK-së.

“Inicimi i këtij shkarkimi, në këtë mënyrë, i Bordit të RTK-së, është në kundërshtim me Ligjin për RTK-në dhe mbi të gjitha shkel të drejta kushtetuese, të cilat burojnë nga mandati i anëtarëve të Bordit. Lufta politike kundër mediumit publik, e ndërtuar mbi “faktet alternative”, është e padrejtë dhe me qëllim të vetëm të instrumentalizimit të mediumit publik për nevojat politike”.

Bordi i RTK-së përbëhet nga Sali Bashota si kryetar, Agron Gashi anëtar, Lirim Geci, anëtar, Fadil Miftari, anëtar, Ilir Bytyçi, anëtar, Bajram Mjeku, anëtar, Petrit Musolli, anëtar dhe Albinot Maloku, anëtar./Insajderi.com

Comments