Brnabiç: Është e rrezikshme që BE lejon të bllokohen fqinjët për çështje bilaterale
Kryeministrja serbe Ana Brnabiç ka komentuar vendimin e djeshëm të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare në BE për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut. Brnabiç në fjalën e saj është shprehur se është bërë veprim i rrezikshëm me atë që çështjet dypalëshe që nuk kanë asnjë lidhje me integrimet evropiane, shfrytëzohen për të vendosur veto për integrimin e vendit fqinj të Serbisë, Maqedonisë së Veriut.
Sipas saj ky është precedent i rrezikshëm dhe në të ardhmen mund të përdoret nga vende tjera të BE-së, por shtoi se ky është problem i BE-së dhe jo i vendeve kandidate.
“Çdo gjë mund të jetë faktor kufizues për bllokadë. Kemi parë precedentë se disa çështje bilaterale që nuk kanë asnjë lidhje me integrimet evropiane të një vendi, vendosen si mur i rrugës së integrimeve evropiane të një vendi tjetër fqinj. Mendoj se është precedent i rrezikshëm, që për fat të keq, mund të përdoret edhe nga vende tjera anëtare të BE-së. Mendoj se nuk është vlerë evropiane.
Unë si një evropiane e shqetësuar, besoj në vlerat evropiane dhe në rrugën tonë evropiane, dhe pavarësisht nëse kapitujt janë hapur apo mbyllur, nëse ka sinjale pozitive, ne do të vazhdojmë me reformat. Tani, nëse BE dëshiron të bëhet një familje e tillë e kombeve në të cilën disa shtete anëtare do të kushtëzojnë disa vende të tjera, edhe pse ata kanë bërë gjithçka, duke zgjidhur disa çështje bilaterale ose probleme pothuajse bilaterale, atëherë ky është problemi i BE-së, dhe kjo është punë me të cilën as nuk mundem dhe as nuk dua të merrem”, tha Brnabiç.
Ndryshe, dje në Luksemburg u mbajt mbledhja e Këshillit për Punë të Përgjithshme të BE-së, në të cilin Bullgaria konfirmoi veton për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut./abcnews.al