Bulevardi “Cvetan Dimov” do të zgjerohet në 6 korsi, objekte të caktuara do të rrënohen

314

Gjatë vitit të ardhshëm do të fillojë ndërtimi i bulevardit “Cvetan Dimov” në Komunën e Çairit. Këtë sot e paralajmëroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, i cili theksoi se sot fillon tenderi për projektimin e tij. Do të ketë gjashtë korsi, gjelbërim qendror, si dhe shtigje për këmbësorë dhe biçikleta.

Më në fund, ne do të fillojmë ta kapërcejmë hap pas hapi një nga problemet më të zjarrta në qytetin tonë. Pritjet e mia janë 2 deri 3 vjet nga tani do të flasim për një Shkup krejtësisht të ndryshëm, një Çair krejtësisht tjetër. Kjo jozyrtarisht do të thotë edhe ndërtim i rrugës së dytë të Bas Rapid Tranzitit, duke e pasur parasysh se këtu kemi një korridor përgjatë të cilit BRT do të lëvizë deri në hekurudhën në Butel, tha Shilegov, i cili shtoi se ky bulevard do të jetë i gjerë 29 metra.

Në të njëjtën kohë, Shilegov deklaroi se ky zgjerim nënkupton shpronësimin e një numri të caktuar të ndërtesave dhe heqjen e tyre për shkak të faktit se ato janë të vendosura në rrugën e ndërtimit. Zbatimi i këtij projekti sipas analizës së Qytetit të Shkupit vlerësohet të jetë 6.5 milionë euro.

“Unë jam i vetëdijshëm që ne do të shembim disa objekte, do ta kompensojmë atë, por unë jam shumë më i vetëdijshëm se kjo do të jetë zgjidhja për këtë pjesë të qytetit. Kur vendosni në peshore përfitimin që marrin qytetarët, atëherë është padyshim një përfitim më i madh”, tha Shilegov.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, theksoi se ky zgjerim është i domosdoshëm për qytetin e Shkupit, si dhe për banorët e Çairit.

“Ndërtimi i këtij bulevardi ka një rëndësi të madhe, duke pasur parasysh se komuna e Çairit është vendi më i populluar në vend. Kjo rrugë është arteria e vetme që lidh edhe komunat e tjera Butel dhe Shuto Orizare”, deklaroi Ganiu.

Investimi, shtoi ai, do të kontribuojë në lidhjen e pjesës tjetër të qytetit me bulevardin “H.T Karposh” dhe unazën.

Comments