Bullgaria nuk lëshon pe, bllokada mbetet – Borisovi paralajmëroi Zaevin: I gënjejnë partnerët evropianë

555

Një delegacion qeveritar sot qëndron për vizitë në Bullgari në përpjekje për të gjetur zgjidhje për tejkalimin e kontestit mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, kontest ky i cili është arsye që vendi ynë është nën bllokadë sa i takon fillimit të negociatave me BE. Dy kryeministrat Zoran Zaev dhe Stefan Janev i nisën bisedimet me takime sy më sy. Janev në konferencë për shtyp pas takimit konstatoi se për momentin ka gjasa të arrihet një zgjidhje për çështjet e hapura, duke shtuar se nga pala maqedonase sot ka marrë hapa konkret se si të zgjidhen mosmarrëveshjet. Kryeministri Zaev tha se problemi është dypalësh dhe se liderët duhet ta gjejnë zgjidhjen këtu me afate konkrete.

“Ne kemi miq gjithkund nëpër botë dhe RMV dhe Republika e Bullgarisë, por problemi është bilateral dhe duhet të gjejmë zgjidhje këtu, në mënyrë bilaterale që të dyja palët, ky është obligimi ynë andaj nëse jemi politikan të përgjegjshëm dhe liderë të popujve tanë, atëherë obligim i ynë është të gjejmë zgjidhje. Tashmë kemi sukses me atë që po shihemi. Tashmë dërguam porosi pozitive për shkak assesi ndryshe nuk duhet të jetë mes RMV dhe Bullgarisë, përvesh miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe hapërimit përpara drejt ardhmërisë më të mirë evropiane për të gjithë”, tha Zaevi.

“Perspektiva evropiane e RMV-së dhe Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, është në interes edhe të Bullgarisë por edhe e të gjithë rajonit dhe BE-së. Por të gjitha këto duhet të jenë në kuadër të rregullave, të dialogut. Së pari duhet t’i sqarojmë punët mes nesh që të mos lëmë probleme të papërfunduara në familjen evropiane”, tha Janev.

Mëngjesin e sotëm Zaevi u takua edhe me disa partia politike, por nuk zbuloi nëse prej tyre ka marrë premtim se rast se formojnë Qeveri pas 11 korrikut, kur është paraparë të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare në Bullgari, a do t’i japin dritë jeshile Maqedonisë? Nga ana tjetër, Bojko Borisov e porositi Zaevin se Presidenti bullgar me të cilin Zaevi do të takohet, do t’i tregojë se për momentin nuk mund të bëhet asgjë. Por, Borisovi pohon se kjo është vetëm një gënjeshtër dhe se Qeveria teknike aktuale mund t’i zhvillojë negociatat.

“Aq sa mësova do të keni shumë takime sot. Unë jam i bindur, pasi i njoh njerëzit me të cilët do të takoheni sot, sidomos Radevin, se do t’ju tregojnë se pa Parlament nuk mund të bëhet asgjë. Ai sërish do ta hedhë topin te Parlamenti, ashtu siç bënte deri më tani. Qeveria e tanishme teknike i ka të gjitha të drejtat dhe mund të negociojë me ju. Mund të ketë edhe marrëveshje të re, në qoftë se nuk u pëlqen marrëveshja jonë. Por, do të ikin nga përgjegjësia, siç po bëjnë gjithmonë. Njëkohësisht i gënjejnë partnerët evropianë se janë “pro” anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE”, tha Borisov.

Kryeministri Zaev u takua edhe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, kurse para godinës u mblodhën rreth 30 protestues me qëllim që ta përshëndesin kryeministrin e Maqedonisë dhe në mënyrë ironike t’i porosisin se ai është personi i tyre më i preferuar. Këtu nuk përfundojnë negociatat me Bullgarinë. Sonte në një darkë pune, të dy kryeministrat do të vazhdojnë të bisedojnë në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje për kontestin mes Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Për TV21 nga Sofja e Bullgarisë, Jovica Paunoski.

Comments