Çun Lajçi, Kurtit: Deshte – s’deshte, “Devolli” ushqen mijëra familje – na duhet punësimi, jo emigrimi

99

Artisti i njohur, Çun Lajçi, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti në lidhje me komentet e tij ndaj kompanisë “Devolli Corporation”.

Në një shkrim të tijin në Facebook, Lajçi tha se as në kohën e “odave” nuk është konsideruar mençuri të flasësh keq për tjetrin në mënyrë që ta ngresh veten.

Aktori tha se Shkëlqim Devolli ka ndërtuar “kodër”, nga e cila ushqehen mijëra familje dukagjinase.

“Nuk pate nevojë në Pejën e Begollëve të flisje për ‘rrotat’ e Ibrahim Devollit që ta zhbëje ‘kodrën’ e Shkëlqimit, sepse deshte – s’deshte, në fabrikën e tij ushqehen mija familje dukagjinase e neve na duhet punësimi, jo migrimi! Na duhet edhe Shkëlqimi, mbase më i zbutur dhe më dukagjinas se sa duket”, shkroi Lajçi ndër të tjera.

Shkrimi i plotë i Çun Lajçit:

I nderuari Kryeministër!

Një gjë s’ta dua, ndaj po ta them pa e lëmuar fjalën!

– Të flasësh keq për të tjetrin që ta ngresh vetveten, s’është mençuri, madje s’ka qenë as në kohën e “odave”! Madje-madje, burrat e kohës flisnin për bregun duke i rënë rreth e rreth fushës, e fushën duke e ngritur të bregu jo bregun ta ulin të fusha!

Nuk pate nevojë në Pejën e Begollëve të flisje për “rrotat” e Ibrahim Devollit që ta zhbëje “kodrën” e Shkelqimit, sepse deshte – s’deshte, në fabrikën e tij ushqehen mija familje dukagjinase e neve na duhet punësimi, jo migrimi! Na duhet edhe Shkëlqimi, mbase më i zbutur dhe më dukagjinas se sa duket!

Ruaje burrninë e fisnikninë ti farë Katërkolle, se kur ti ulësh brigjet, atëherë edhe prrojet bëhen të tmerrshme! Je fisnik, i ditun dhe patriot, i matun dhe i durueshëm, por mos të të rrëmbejë turma, se atëherë s’dihet ku të përfundon masa! E masa është gjëja më e duhur kur t’bësh tribunalin!

Mos u merr me shamjet e atyne që i ke kundër, po merru me mjaltin që mëkon shpirtin e njerëzve dhe mbaj premtimet nesër, se ato të 4 viteve të shkuara i harrove, ndaj mos i harro këto që po vinë në mandatin tjetër!

S’na duhen shamjet e kërcnimet, se ato na i ngrehën vesht 20 vite dhe kurrë s’ditëm; – u bëmë gomerë apo lepuj!

Comments