Dekorohet familja Jashari, Besarta: Mos pranoni kurrë përçarje, jemi një – Zoti e bekoftë kombin tonë

Presidentja Vjosa Osmani ndau dekoratën me titullin “Urdhri i Lirisë” për familjen Jashari.
Dekoratën e pranoi Besarta Jashari, vajza e Hamzë Jasharit e cila ishte dëshmitare e sulmit të forcave serbe mbi familjen e saj më 5, 6 dhe 7 mars 1998.
Ajo fillimisht ndau një thënie të Adem Jasharit, axhës së saj dhe heroit të vendit.
“Jam e nderuar që sot jam në mesin tuaj, për nder të 17 vetorit të Pavarësisë, festën e madhe për gjithë shqiptarët. Duke qenë se prezenca ime lidhet me atë që përfaqësoj, më lejoni ta lidhë këtë fjali me një thënie të axhës Adem: ‘Ndoshta edhe fitohet liria me laps, por neve në Kosovë na mungojnë varrezat e dëshmorëve’. Këtë ia kishte thënë profesorëve të Akademisë Ushtarake në Shqipëri në vitin 1991, pas vizitës që ia kishte bërë kompleksit të dëshmorëve dhe monumentit ‘Nëna Shqipëri’ në Tiranë”, tregoi Jashari në këtë ceremoni”, tha Besarta Jashari.

Ajo tha se vendi ka pasur djem dhe vajza që kanë dhënë shumë. Ndërsa i falënderoi ata, i falënderoi edhe kombet aleate, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Faleminderit secilit. Faleminderit edhe kombeve që na kanë besuar e na kanë mbështetur. Faleminderit Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ajo.
Në fund të fjalës së saj, Besarta Jashari përcolli porosinë që të mos ketë përçarje mes shqiptarëve.
“Po e përfundoj këtë fjalim me thënien e axhës Rifat, që shumë shpesh e thotë: Kur kombi shqiptar është i bashkuar, neve na flladitet zemra. Andaj sot, në festën e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe në prag të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së më lejoni të ju përshëndes të gjithë shqiptarëve kudo që jeni dhe t’ua përcjell kërkesën time personale: Mos pranoni kurrë përçarje, jemi një! Zoti e bekoftë Kosovën dhe Shqipërinë! Zoti e bekoftë kombin tonë!”, tha ajo.