Demanton zëdhënësi i qeverisë: Gruaja e Kurtit jeton midis Oslos dhe Prishtinës dhe jo në Beograd
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas deklaratës së gazetari serb, Branislav Kërstiq, i cili në emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun në Kanal 10, tha se gruaja e kryeministrit të vendit, Albin Kurtit është duke jetuar dhe punuar në Beograd.
“Gruaja e kryeministrit tonë është e punësuar në Beograd”, ka thënë Kërstiq mbrëmë.
Këto deklarata, zëdhënësi i Qeverisë i ka quajtur të pavërteta, duke thënë se bashkëshortja e Kurtit është e punësuar vetëm në NUPI dhe jeton midis Oslos dhe Prishtinës.
“Kjo nuk është e vërtetë. Ky është lajm i rremë. Bashkëshortja e Kryeministrit Kurti është e punësuar vetëm në NUPI (Insituti Norvegjez për Çështje Ndërkombëtare) dhe jeton midis Oslos dhe Prishtinës. Gjithashtu, nuk është anëtare në asnjë bord askund”, ka thënë Kryeziu.
Kërstiq, mbrëmë në “Politiko” është shprehur i bindur se gruaja e Kurtit është e punësuar në një kompani ndërkombëtare, e cila e monitoron dhe udhëheq prodhimin e elektricitetit në Serbi.
“Gruaja e z.Kurtit është duke punuar në Beograd. Është e angazhuar në një kompani ndërkombëtare e cila është duke monituru dhe udhëheq krejt prodhimin e elektricitetit në Serbi në shtetin e Serbisë”, ka thënë Kërstiq.