Demostratat studentore 1981 – Pranvera e dinjitetit

76
fresco

Sot për Institucionin tonë shkencor është një ditë e veçantë përkujtimi dhe një ditë feste njëkohësisht!
Përkujtojmë 11 Marsin e vitit 1981, kur nga mensa e studentëve të Universitetit të Prishtinës u ndezën shkëndijat e para të guximit rinor që pulsonte vrullshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në ardhje.
Demonstratat studentore dhe gjithëpopullore të mars-prillit, e tronditën në themel sistemin pushtues komunist jugosllav, ndërsa shumicës shqiptare të Kosovës i ofruan një perspektivë të re në horizont, një perspektivë që do të projektohej jashtë orbitave të Beogradit dhe Moskës.
Këto demonstrata studentore ngritën lartë vetëdijen e masave të gjera popullore dhe përgatitën gjeneratën e artë të çlirimtarëve, të cilët me tri shkronjat e shenjta të UÇK-së, i dhanë goditjen e fundit Serbisë pushtuese në Kosovë.
Jemi të lumtur që këtë përvjetor të pranverës studentore 81, po e shënojmë edhe këtu në Shkup, bashkë me disa nga protagonistët e saj kryesor, kontributi i të cilëve gjithsesi që do të shkruhet në analet e historisë më të re të Kosovës së lirë e të pavarur.
Të nderuar të pranishëm,
Sot ne njëkohësisht festojmë edhe për kurorëzimin e punës së palodhshme studimore të disa gjeneratave të suksesshme të studentëve tanë, të cilët pas pak solemnisht do të pajisen me diplomat e magjistraturës.
Organizimi për herë të parë i studimeve të magjistraturës, për Institutin tonë ka qenë një obligim, përgjegjësi dhe sfidë e rëndë, të cilën e kemi kaluar falë përkushtimit të pashoq të menaxhmentit të Institutit dhe studentëve të interesuar për të vjelë dije dhe përvoja të reja. Mbase ndokujt edhe nuk i ka pëlqyer shumë zgjerimi i veprimtarive të tilla të Institutit, ashtu siç nuk i ka pëlqyer edhe realizimi i aktiviteteve të përbashkëta me qendrat albanologjike simotra në Prishtinë dhe Tiranë, duke e ngritur emrin e Shkupin shqiptar në nivelet më të larta të mundshme.
Mbase ky ka qenë edhe shkaku i ekspozimit të Institutit ndaj disa goditjeve të ulëta, por gjithsesi, koha do të dëshmojë se ky orientim ka qenë rreshtimi më i duhur në vijën e drejtë kombëtare, rreshtimi më i duhur në dritën e dijes shkencore dhe rreshtimi më i duhur në anën e drejtë të historisë!
Në fund dëshiroj t’ju falënderoj sinqerisht të gjithëve për bashkëpunimin e deritashëm në të gjitha veprimtaritë e Institutit tonë, ndërsa studentëve që sot po pajisen me diploma magjistrature në drejtimin e Historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ju uroj shëndet dhe suksese në jetën personale dhe profesionale.
Faleminderit shumë!
Sevdail Demiri
Shkup, 11.03.2025

midle

Comments