Dëmtuan buxhetin mbi 760 mijë euro – Caktohet masë kujdesi ndaj Ejup Rustemit

Gjykata penale e Shkupit i caktoi masë kujdesi Ejup Rrustemit, pasi u arrestua lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë furnizimit për zgjedhje të kompanisë për sigurimin fizik të 14 pikëpagesave të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, shkruan Alsat
Dyshohet se dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit është mbi 760 mijë euro.
Prokuroria, gjithashtu në hetim i ka përfshirë edhe 4 persona të tjerë, respektivisht udhëheqësin e Sektorit për Pikëpagesa dhe Kontrolle, Drilon Ziberi, ndihmësdrejtori për Mirëmbajtjen e Rrugëve, Ejup Latifi, por edhe Xhemal Bilbilovski, pronar i agjencisë private nga Kërçova “2SS” që i ka siguruar pikëpagesat.
Pronari i agjencisë, sipas organit të akuzës dyshohet për “Keqpërdorim të procedurës së tenderit” sipas nenit 275-v të Kodit Penal, ndërsa katër të dyshuarit e tjerë përfshirë dhe Rustemin, dyshohen për “Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar” dhe për veprën “Falsifikim të dokumenteve zyrtare”.

“Bëhet fjalë për një kontratë të prokurimit publik të lidhur me datën 08.08.2022, me të cilën i dyshuari, drejtues i agjencisë së sigurimit është obliguar që për dy vite të ofrojë siguri të vazhdueshme fizike 24/7 në të 14 pikat e pagesave të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Ndonëse ka qenë i detyruar sipas kontratës së nënshkruar, ai nuk i është përmbajtur detyrimit dhe për të gjithë periudhën e kontratës ka dhënë vetëm siguri fizike të pjesshme, më së shpeshti vetëm në turnin e parë, dhe i ka faturuar autoritetit kontraktor për shërbimet sikur të jetë ofruar siguri fizike 24/7 për të gjithë periudhën e kontratës deri në zgjidhjen e saj”, thonë nga Prokuroria Publike e Shkupit.
Drejtori Rustemi ka qenë i obliguar që të kujdeset për ligjshmërinë e punës dhe zbatimin e rregulloreve, statuteve dhe akteve të tjera, si dhe të kontrollojë nëse zbatimi i kontratës së ka qenë në përputhje me kushtet, por sipas Prokurorisë, ai nuk e ka kryer atë detyrë dhe nuk ka ushtruar mbikëqyrje, edhe pse e ka ditur se nuk ushtrohet siguri 24 orëshe.
Këtë, nuk e kanë kryer edhe dy të dyshuarit e tjerë, udhëheqës të sektorëve.
“Në këtë mënyrë, të dyshuarit e tjerë i kanë mundësuar bartësit të dyshuar të prokurimit që të fitojë dobi financiare kundërligjore në vlerë prej afër 47 milionë denarë dhe me këtë i kanë shkaktuar dëm të madh Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore”, thuhet tutje nga Prokuroria Publike e Shkupit.
Jozyrtarisht, pritet që hetimi të zgjerohet edhe për persona të tjerë në institucione të tjera. Rustemi ka qenë funksionarë i lartë partiak i BDI-së, ka ushtruar funksionin e deputetit, por edhe drejtorit të Postës./ Alsat.mk