Diplomatët amerikanë në Siri, për herë të parë pas rënies së Assadit
Diplomatë amerikanë, të parët që po vizitojnë Sirinë që nga rrëzimi i Presidentit Bashar Assad në fillim të këtij muaji, ndodhen në Damask për të biseduar me autoritetet e reja siriane dhe për të kërkuar informacione rreth fatit të gazetarit amerikan, Austin Tice.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të premten në mëngjes se diplomatja kryesore për Lindjen e Mesme, Barbara Leaf, ish i dërguari i posaçëm amerikan për Sirinë, Daniel Rubinstein dhe i ngarkuari i Presidentit Biden për bisedimet mbi pengjet, Roger Carstens, po marrin pjesë në takim me drejtuesit e përkohshëm të Sirisë. Cështja kryesore në agjendën e tyre është kërkimi i informacioneve mbi gazetarin Tice.
Ky është delegacioni i parë i diplomatëve amerikanë që viziton zyrtarisht Sirinë pas më shumë se një dekade, që kur Shtetet e Bashkuara mbyllën ambasadën në Damask në 2012.
“Ata do të takohen me sirianët, përfshirë pjesëtarë të shoqërisë civile, aktivistë, pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme dhe personalitete tjera siriane për të biseduar mbi vizionin për të ardhmen e vendit të tyre dhe se si Shtetet e Bashkuara mund t’i përkrahin ata”, sipas Departamentit amerikan të Shtetit.
Në krye të agjendës së tyre do të jetë kërkimi i informatave për gazetarin Tice, i cili është zhdukur në Siri në vitin 2012. Ata po ashtu do të bëjnë thirrje për parimet e përfshirjes, mbrojtjen e pakicave dhe të refuzojnë terrorizmin dhe armët kimike, çështje të cilat sipas administratës së Presidentit Biden janë kritike për t’i dhënë mbështetjen qeverisë së re.
Shtetet e Bashkuara dyfishuan përpjekjet për të gjetur gazetarin Tice. Ata njoftuan se zyrtarët kanë komunikuar me kryengritësit që rrëzuan qeverinë e Assadit rreth fatit të gazetarit amerikan. I ngarkuari Carstens qëndroi paraprakisht në Liban në kërkim të informacionit për të.
Gazetari Tice, shkrimet e të cilit janë publikuar nga gazetat amerikane si Washington Post dhe McClatchy, u zhduk në një postbllok në një zone të diskutueshme në pjesën perëndimore të Damaskut ndërkohë që lufta civile në Siri po intensifikohej.
Një video-regjistrim që u publikua disa javë pas zhdukjes së tij, e tregoi gazetarin Tice me sy të lidhur, të mbajtur nga njerëz të armatosur, ndëkohë që thoshte “Oh, Jezus”. Që nga ajo kohë, më nuk ka patur ndonjë informacion për të. Qeveria e Assadit ka mohuar se po e mban atë.
Grupi i kryengritësve që kryesoi sulmin në Damask që detyroi Assadin të largohet – Hayat Tahrir al-Sham, apo HTS – është përcaktuar si organizatë e huaj terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera. Ndërkohë që përcaktimi vjen me një mori sanksionesh, ai nuk i ndalon zyrtarët amerikanë që të flasin me anëtarët apo drejtuesit e tij.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se diplomatët Rubinstein, Leaf dhe Carstens do të takoheshin me përfaqësuesit e grupit HTS, por nuk thanë nëse udhëheqësi i grupit, Ahmad al-Sharaa, i cili dikur ishte i lidhur me al-Qaidën, do të ishte në mesin e atyre me të cilët do të takoheshin.
Zyrtarët amerikanë thonë se deklaratat publike të al-Sharës rreth mbrojtjes së pakicave dhe të drejtave të grave janë të mirëpritura, por se ata vazhdojnë të jenë skeptik se ai nuk do t’iu përmbahet atyre në të ardhmen.