‘Dita e të zhdukurve’ përkujtohet në të gjithë Ballkanin

260

Të mërkurën në të gjithë ish-Jugosllavinë u vendosën lule dhe u ndezën qirinj në evente të ndryshme për të përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve në një përpjekje për të nxjerrë në pah faktin se trupat e 12,000 nga 40,000 personave të zhdukur nga luftërat e viteve 1990 ende nuk janë gjetur. Në Sarajevë, të afërmit e personave të zhdukur dhe banorët vendas lëshuan tullumbace të zeza në qiell në shenjë përkujtimoreje, ndërsa në qytetin boshnjak veriperëndimor të Prijedorit u lëshuan 620 tullumbace të zeza me emrat e të gjithë personave të zhdukur nga zona.

Në tullumbace ishte shkruar pyetja “Ku është ai/ajo?” Në Bosnje dhe Hercegovinë, rreth 32,000 njerëz u raportuan të zhdukur si rezultat i luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe kërkimi për rreth 7,000 prej tyre vazhdon ende. Disa familje boshnjake janë dëshpëruar nga mungesa e përparimit në kërkimin e të afërme të tyre. Milena Kokot tha për BIRN se gjatë 25 viteve të fundit ajo ka kërkuar eshtrat e vëllait të saj Draganit dhe babait të saj Gojkos, të cilët u vranë në Sarajevë në maj të vitit 1992. Ajo bëri thirrje që njerëzit të paraqiten me informacione për varre të mundshme. “U kërkoj njerëzve të na ndihmojnë, të mos vazhdojmë të heshtin, të na tregojnë se ku janë eshtrat e tyre,” tha ajo. Në Prishtinë autoritetet i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë presion mbi Beogradin për të hedhur dritë mbi fatin e rreth 1,600 njerëzve që kanë humbur që nga përfundimi i konfliktit në vitin 1999. Vendas dhe familjarë të personave të zhdukur vendosën lule para një memoriali kushtuar personave të zhdukur para ndërtesës së parlamentit, ndërsa njerëzit lëshuan 18 tullumbace të bardha me pikëpyetje që simbolizonin ata që u zhdukën.

Bajram Qerkini, kreu i Shoqatës së Familjeve të Personave të Zhdukur, tha se procesi i gjetjes së varreve të tyre ka “mbetur amulli” dhe akuzoi institucionet e Kosovës se nuk e kanë ngritur çështjen në nivelet më të larta. Në mars të këtij viti, komisioni i personave të zhdukur i qeverisë së Kosovës i kërkoi Serbisë të zbulojë informacione rreth vendndodhjeve të varreve masive, duke pohuar se ushtria e Beogradit po mban sekret dokumente të rëndësishme. Në Serbi, të afërmit e personave të zhdukur dhe viktimave të luftës ecën drejt monumentit në Parkun e Tasmajdan në Beograd për të përkujtuar ata që vdiqën në konfliktet e Jugosllavisë dhe vendosën lule, si edhe ndezën qirinj në Kishën e Shën Markut.

Zyrtarët serbë shënuan Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve duke akuzuar vendet fqinje për mungesë vullneti për të bashkëpunuar në lidhje me këtë çështje. Kreu i Komisionit të Personave të Zhdukur i Qeverisë së Serbisë, Veljko Odaloviç, tha për televizionin publik RTS se kishte një vonesë serioze në procesin e gjetjes së personave të zhdukur nga konflikti në Kosovë në vitin 1999. Odaloviç tha se “nuk ka vullnet në Prishtinë për të ndarë informacione nga arkivat e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe arkivat e organizatave ndërkombëtare që ishin të pranishme në atë kohë në Kosovë”. Serbia thotë se ajo ende po kërkon 540 njerëz që u zhdukën në Kosovë gjatë luftës. Në Kroaci, familjet e personave të zhdukur në qytetin lindor të Osijekut vendosën lule dhe ndezën qirinj në një varr të përbashkët për viktimat e luftës në varrezat e qytetit.

Ministri kroat i veteranëve të luftës Toma Medved tha pas ceremonisë se procesi i gjetjes së personave të zhdukur është penguar nga mungesa e bashkëpunimit nga Serbia përsa i takon dhënies së informacioneve. “Në muajt e fundit kemi nënshkruar marrëveshje me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi për shkëmbimin e të dhënave për personat e zhdukur dhe ne presim të bëjmë të njëjtën gjë me Serbinë,” tha Medved. Autoritetet kroate po kërkojnë 1,533 njerëz që mungojnë ende nga lufta e viteve 1990.

Comments