Dita e tretë me radhë që Kumanova dhe Likova kanë mbetur pa ujë për pije

205

Pas reshjeve të mëdha të breshëritë që e përfshinë rajonin e Kumanovës dhe Likovës për të tretën ditë me radhë, kumanovarët nuk mund ta shfrytëzojnë ujin për pije. Shumica e banorëve me ujë të pijshëm furnizohen nga dyqanet, por thonë se ka edhe nga ata që pinë ujin e çezmës pasi ta kenë vluar.

“Jemi duke blerë ujë. Cila ditë me radhë është kjo? E treta…Disa e vlojnë, disa nuk e vlojnë. Ne më së shumti prej bojlerit e përdorim për me pastru enë, ndërsa për ta pirë nuk e pimë”, tha një banor.

“Jo njëherë jo, akoma. Po blejmë ujë nëpër shitore, por këtë ujë akoma nuk po e përdorin derisa të na thonë që ta përdorim… Është pak si vështirë, për ta pirë, se për të larë prapë më mirë”, u shpreh një tjetër banor.

“Është vështirë por çfarë të bëjmë, nuk kemi zgjidhje tjetër. Po blejmë ujë prej shitores, nëse nuk na lënë me pi, duhet të përdorim atë që e shesin në shitore. -Çfarë u kërkoni autoriteteve? Sa më shpejtë me rregulla situatën”, theksoi një banor.

“Jo, tashmë tre ditë po pimë ujë të blerë”, u shpreh një tjetër banor.

“Jo nuk jemi duke e përdorë. Po blejmë, me të blerë. Kumanova dhe rrethi i Kumanovës që e shfrytëzojnë këtë ujë, nuk kanë për pije po thonë, tani ne nuk kemi çfarë bëjmë, duhet patjetër të blejmë”, theksoi një banor.

Nga ndërmarrja publike për ujësjellës po presin të përfundojnë analizat e nevojshme nga Qendra e Shëndetit Publik, ku në rast se ato rezultojnë pozitive, presin që uji të jetë i pijshëm nga e marta eventualisht e mërkura e javës së ardhshme.

“Sipas udhëzimeve të shtabit të krizës, pranë komunës së Kumanovës, që uji të mund të shfrytëzohet për pije, duhet që Qendra e Shëndetit Publik të merr 3 herë mostra nëpër lokacione të ndryshme prej komunës së Kumanovës. Nëse të gjitha rezultatet dalin pozitive, të mira, Qendra për Shëndet Publik, eventualisht të martën ose të mërkurën mund të jep pajtueshmëri që uji të jetë i pijshëm”, deklaroi Oliver Stojmanovski, N.P “Ujësjellësi” Kumanovë.

Deri më tani janë marrë dy mostra, ndërsa e treta pritet të merret gjatë ditës së nesërme. /Alsat.mk

Comments