Enver Dugolli nga VV-ja iu është kundërpërgjigjur kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt lidhur me akuzat e tij se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është “në shërbim të agjendës së Rusisë dhe Serbisë”.
Ai në një prononcim për RTV21 tha se nuk bëhet fjalë për ndonjë agjendë të tillë përveç zbatimit të rendit të ligjit, shtyrjes së sovranitetetit dhe integritetit që sipas tij është prioritet i Qeverisë Kurti.
“Nëse përzënja e Radoiçiqit dhe bandës së tij nga Kosova duke i ikur maleve ka të bëjë me agjendë të Rusisë dhe të Serbisë atëherë ne mund t’i themi edhe z.Haradinaj dhe secilit se ne do t’i ndjekim gjithë kriminelët dhe banditët që kanë terrorizuar atë popullatë atje, që kanë shkelur sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës dhe me këtë agjendë ne do të vazhdojmë”, tha Dugolli.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, edhe në mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve: Kosovës dhe Shqipërisë, ka përsëritur se kryeministri Albin Kurti, është “në shërbim të agjendës të Rusisë dhe Serbisë”.
“Unë mendoj që çdo veprim i Kurtit është në përputhje të plotë me agjendën e Serbisë dhe të Rusisë”, ka thënë Haradinaj./21Media