Durmishi: Njëqind ditë të dedikuara plotësisht për mbështetjen e biznesit dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve

92

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi ka prezantuar punën dhe arritjet në këto 100 ditë të qeverisë.
Ai deklaroi se ata kanë qenë të përkushtuar në mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve, biznesit dhe amvisërive.
“Kemi punuar me përkushtim këto 100 ditët e kaluara në interes të përmirësimit të klimës afariste për kompanitë dhe në uljen e shpenzimeve për qytetarët. Në kushte të çmimeve të rritura të ushqimit, në mënyrë që t’ju dalim në ndihmë qytetarëve, nisëm një aksion, për të cilin mund të dëshmojmë se u mirëprit pozitivisht nga qytetarët, e që është “Më pak harxhime – më shumë për ty”.

Së pari, i ulëm marzhet e tregtisë me shumicë dhe tregtisë me pakicë të pajisjeve shkollore, duke ulur kështu shpenzimet për amvisëritë, veçanërisht për ato për që kanë nxënës.
Më pas, në mënyrë që t’u dalim në ndihmë qytetarëve, publikuam Shportën konsumatore vjeshtore dhe kufizuam marzhat në 10% në tregtinë me shumicë dhe në tregtinë me pakicë në 73 produkte themelore ushqimore , diçka që është shumë e rëndësishme për të gjitha amvisëritë. Kjo masë do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme si shporta e Krishtlindjeve, shporta e Ramazanit, shporta e Pashkëve, e gjithë kjo me qëllim që t’u dalim në ndihmë qytetarëve para festave kur ka rritje të çmimeve të produkteve themelore ushqimore”, ka deklaruar Durmishi, përcejll SHENJA.
Durmishi ka shtuar se rënia e çmimeve pritet të jetë edhe më e madhe duke marrë parasysh rënien e çmimeve në tregtinë me shumicë, e cila tek tani duhet të ndodhë në dërgesat e radhës, gjatë dërgimit të produkteve në marketet.

“E shprehur në kursimin e parave për një familje katëranëtarëshe, në nivel mujor kursimi do të arrinte nga 690 denarë në 1360 denarë për familje, në varësi të mënyrës së ushqyerit, si dhe nga zgjedhja e marketeve ku furnizohet ai”, shtoi mes tjerash Durmishi. /SHENJA/

Comments