Dy të vdekur brenda një dite, Prokuroria nis hetimet për helmimet në Deçan
Gjatë ditës së djeshme, IKSHPK-ja ka njoftuar se mostrat e ujit që po dyshohet se shkaktoi helmimin e gati 900 qytetarëve të Deçan, kanë rezultuar në kufij të lejuar të përcaktuara me standardet evropiane.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka deklaruar se helmimi i qytetarëve nga uji i pijshëm në disa fshatra të kësaj komune, mund të jetë edhe i qëllimshëm.
E për të gjitha këto pretendime, Prokuroria Themelore e Pejës ka bërë të ditur se janë nisur edhe procedurat parahetimore, për shkak se dy nga qytetarët që po dyshohet se janë helmuar, kanë ndërruar jetë.
“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në Komunën e Deçanit. Për shkak të situatës së krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obduksion në IML, për të kuptuar më shumë lidhur me rrethanat e vdekjes së tyre”, ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.
Ai ka thënë se Prokuroria Themelore e Pejës ka autorizuar Policinë e Kosovës dhe IKSHPK-në që të ndërmarrin masat e nevojshme për mbledhjen e provave, para se të mbahet konferenca nga ana e IKSHPK-së.
Nikçi ka bërë të ditur se aktualisht janë në pritje të obduksionit së trupave të pa jetë, në mënyrë që të arrihet në një përfundim rreth rastit dhe të vazhdojnë me procedurat e mëtutjeshme.
Kujtojmë se deri më tani, ende nuk dihet nëse uji i pijshëm ka qenë i helmuar ose arsyeja e cila ka shkaktuar helmim te gati 900 banorë të fshatrave të Deçanit, të cilët kishin përdorur ujin e pijshëm. /Lajmi.net/