E pranoi se e rrahu gruan, por Sadat Fejzi dyshohet se e dhunoi edhe vajzën e saj 14-vjeçare

Policia e Kosovës e ka vënë dje në kërkim Sadat Fejzin, që dyshohet për veprën penale “dhunim”. Ai dje deklaroi se gruas së tij “ia ka dhënë vetëm disa shuplaka”, por nuk e ka dhunuar. Kjo nuk është e tëra lidhur me këtë rast. Sinjali mëson se në shtëpinë e tyre, në Mogillë të Kllokotit, ka ndodhur një ngjarje e tmerrshme.
Sadat Fejzi, dyshohet se përveç që ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij, e ka dhunuar edhe vajzën e saj, të mitur, të cilën gruaja e tij e kishte nga një martesë e mëhershme. Sinjali ju sjellë detaje të reja, për këtë rast të trishtë, për të cilin i dyshuari ende nuk është kapur, edhe pse u denoncua në Polici, që dy javë.“Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në mënyrë që të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarit S.F. dhe i njëjti të arrestohet, pasi dyshohet se më 13 Gusht 2021, në komunën e Kllokotit, ka dhunuar një të mitur, i cili për momentin gjendet në arrati”, thuhet në përgjigjen e Prokurosisë për Sinjalin.

Por dje, nga arratia ai e mohoi se ka kryer këtë vepër penale, por vetëm tha se “ia ka dhënë dy-tri shuplaka”, gruas së tij, për shkak të disa mosmarrëveshjeve.
“Kush e dhunon gruan e kurorëzume, këtë mbane mend. Para një jave ka ndodhë disa mosmarrëveshje, ja kom jep nashta nja dy tri shuplaka, jo më shumë. Edhe dikush e ka lajmëru Policinë. Mu shumë më njohin, kom qenë drejtor i televizionit Dardania“, tha Fejzi.
Në deklarimin e tij, Fejzi po ashtu tha se është në bashkëbisedim me Policinë, edhe pse kjo e fundit njoftoi se e ka shpallur në kërkim të njëjtin. Ai madje tha se sot do të vetëdorëzohet në Polici, edhe pse një gjë të tillë, ende nuk e ka bërë.