E rëndë: Kandidati për deputet e VV-së i quan lajme të mira problemet shëndetësore të Thaçit dhe zgjatjen e paraburgimit

Luan Gacaferi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, në një postim skandaloz të publikuar së fundi, u gëzohet problemeve shëndetësore të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po mbahet në Hagë. Mes tjerash, ai e ka quajtur lajm të mirë edhe vazhdimin e paraburgimit.
Hashim Thaçi mungoi sot në gjykimin në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ai ka pasur probleme shëndetësore, dhe për këtë e ka pasur të pamundur pjesëmarrjen, siç ka konfirmuar avokati i tij, Luka Misetiq.
“As unë nuk kam informacion, sekretarja më njoftoi se klienti nuk ndihej mirë, dhe nuk mund të merrte pjesë në seancën e sotme. Nuk jam konsultuar fare me klientin lidhur me këtë. Mendova se ishte zgjidhur prej jush” – tha Mistiq.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Gacaferi i njohur ndryshe edhe si “Luan fataliteti”, duke shprehur gëzimin e tij rreth kësaj, ka pyetur nëse ka lajme të tjera të mira.
“A ka naj lajm të mirë sot për Kosovën a jo!!!

Thaqi për shkaqe shëndetsore nuk merr pjesë në seancën gjyqësore, ju vazhdohet paraburgimi, Tahiri se kalon pragun, Haki Abazi i merr veç 1 vota, Ardian Kastrati se kalon pragun, Pay Pali po lufton për jetë a vdekje me pragun, Zafir Berishës ja kishin vjedh hakerat votat……… Hajr e boft Zoti se tjetër s’don njeri çka me thonë!” – ka shkruar ai.
Vlen të theksohet se Gacaferi, ishte komentuar shumë pasi në një shkrim kishte përdorur fjalën “fatalitet”, duke e pasur në mendje – bazuar në kontekstin e përdorimit – fjalën “natalitet”.
Gacaferi ishte prezantuar si kandidat për deputet nga Albin Kurti gjatë një tubimi në Gjakovë. Ky para simpatizantëve të VV-së kishte thënë:
“Unë po e filloj pak ma ndryshe prej tjerve. Maj men jam kan dikun në moshën 4-5 vjeçare po e ves babëgjyshin kur vjen pranvera te na në Kosovë, tha kur t’i sheh dallendyshet në qiell.
Një ditë po më vet dikush prej familjes, tha kur ka me u ba mirë në Kosovë, thash në Kosovë bëhet mirë kur ta shihni Luanin t’u ardhë prej diaspores në Kosovë, edhe tjerët me Luanin”.