“E vranë, ia morën 6000 denarë dhe ia djegën trupin”, Prokuroria në Kumanovë kërkon paraburgim për dy vëllezër

Prokuroria Themelore në Kumanovë kërkon paraburgim për dy persona, të cilët dyshohen se e kanë vrarë fqinjin e tyre L.S. nga fshati llukë në Kriva Pallankë, përcjell TV21. Vëllezërit S.F. dhe Z.F., dyshohet se e kanë vrarë fqinjin e tyre nga lakmia, gjegjësisht dyshohet se i kanë marrë 6000 denarë të njëjtit pasi e kanë vrarë.

“Të dyshuarit, të moshës 20 dhe 25 vjeç, nga lakmia i kanë marrë jetën bashkëfshatarit të tyre. Natën mes 24 dhe 25 marsit, ata kanë rënë dakord të kryejnë një vjedhje në shtëpinë e viktimës. Vëllai i vogël e ka zgjuar të dëmtuarin dhe e ka nxjerrë jashtë me pretekstin se donte t’i blinte raki. Në oborr e ka goditur me shat në kokë, më pas të dy e kanë tërhequr zvarrë së bashku dhe e kanë goditur edhe disa herë me një send. Duke kontrolluar në xhepat e viktimës, ata i kanë marrë 6.000 denarë, të cilat i kanë ndarë mes vete dhe më pas kanë kontrolluar shtëpinë dhe hapësirat ndihmëse. Në trupin e kanë lyer me benzinë dhe naftë dhe e kanë djegur, më pas e kanë hedhur në një gropë buzë lumit dhe e kanë mbuluar me drurë dhe gurë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.