Edi Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit të Izraelit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është nderuar me Medaljen Presidenciale të Nderit nga presidenti izraelit, Isaac Herzog, për angazhimin e tij në luftën kundër antisemitizmit dhe për përpjekjet e Shqipërisë në forcimin e marrëdhënieve me Izraelin. Ceremonia e ndarjes së çmimit u zhvillua në një ngjarje solemne në Izrael, ku presidenti Herzog foli per historinë e Shqipërisë dhe popullit shqiptar për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke përmendur traditën e besës që shpëtoi jetën e shumë izraelitëve.
Në fjalën e tij, presidenti Herzog e quajti Shqipërinë një shembull të pazakontë të mbrojtjes dhe solidaritetit. Ai theksoi: “Shqiptarët ditën të mbrojnë izraelitët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Besa ka udhëhequr popullin shqiptar dhe ka qenë një mburojë e fortë për hebrenjtë. Kjo traditë e veçantë ka qenë një shembull i jashtëzakonshëm i humanizmit dhe solidaritetit që ne e çmojmë shumë.”

Nga ana e tij, Kryeministri Rama, falënderoi Izraelin për nderimin dhe theksoi angazhimin e Shqipërisë për të ruajtur kujtesën e Holokaustit. Ai theksoi se, “Populli shqiptar u bë mburoja më e fortë e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Myslimanët shqiptarë ofruan mbështetje të jashtëzakonshme dhe nuk dorëzuan asnjëherë hebrenjtë. Kjo është një traditë që ne e nderojmë dhe e ruajmë me krenari,” tha ai.
Rama foli gjithashtu për nismat e reja që Shqipëria po ndërmerr për të thelluar lidhjet me Izraelin, duke njoftuar se janë duke u ndërtuar dy qendra kulturore hebreje në Shqipëri. “Ne po ndërtojmë dy qendra kulturore hebreje, për të vazhduar traditën e bashkëpunimit dhe miqësisë mes shqiptarëve dhe hebrenjve,” shtoi ai.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama gjithashtu theksoi rëndësinë e luftës kundër antisemitizmit dhe nxiti një qëndrim të fortë ndaj çdo forme të urrejtjes, duke theksuar: “Ne duhet të ngremë zërin kundër antisemitizmit, të edukojmë brezat e rinj dhe të sigurojmë që historia e Holokaustit të jetë gjithmonë pjesë e kujtesës tonë kolektive.”