Ekstremizmi apo lakmia e sëmurë për një faqe historie!

96
fresco

Nuk është vetëm legjenda e dyshimtë e Neronit që e ndezi Romën në kërkim të një motivi estetik, por janë shembuj të shumtë nga më banalet, që provojnë faktin se mendje të sëmura pushtetarësh të lartë konstruktojnë ngjarje dhe rrethana të çuditshme ekstreme, për t’i realizuar qëllimet e tyre meskine.

Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Ambiciet e sëmura të njerëzve të pushtetshëm për të vendosur rregulla të reja në shoqëri, shpeshherë përfundojnë me tragjedi të mëdha njerëzore. Çmimin e dëshirave dhe pasioneve të shfrenuara të njerëzve të tillë rëndom e paguajnë njerëzit e pafajshëm, të cilët nuk kanë kurrfarë lidhje me idetë dhe qëllimet e dikujt, që për të mbetur në ndonjë faqe të historisë, është në gjendje të shuajë me qindra e mijëra jetë.

Pasionet e tilla nëpër kohë, madje edhe me sfonde të çuditshme, janë të shumta. Nuk është vetëm legjenda e dyshimtë e Neronit që e ndezi Romën në kërkim të një motivi estetik, por janë shembuj të shumtë nga më banalet, që provojnë faktin se mendje të sëmura pushtetarësh konstruktojnë ngjarje dhe rrethana të çuditshme ekstreme, për të realizuar qëllimet e tyre meskine.

Historia njerëzore është e mbushur me personazhe të tilla, të cilët duke i kultivuar pasionet tyre personale deri në stadin e ideologjive të rrezikshme ekstremiste, i sollën botës vuajtje e mjerim të paparamenduar. Vetëm në dy luftërat e fundit botërore (1914-1918 dhe 1939-1945) humbën jetën mbi 100 milionë njerëz dhe qindra miliona të tjerë u plagosën e u gjymtuan. Pasojat e tyre ndihen deri në ditët e sotme, duke u mos u ndalë akoma rrjedhja e gjakut të njerëzve të pafajshëm.

Në këto dy dekadat e fundit, cak i vrasjeve masive u bënë popullsitë myslimane në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, qoftë përmes nxitjes së luftërave civile vëllavrasëse, qoftë përmes sulmeve të drejtpërdrejta ushtarake të agresorëve mbi caqe të pambrojtura civile. Rasti i fundit i shkatërrimit të Gazës palestineze para syve të botës, paraqet kulmin e çmendurisë, humbjes së ndjesisë njerëzore dhe gjykimit racional. Asnjë mekanizëm dhe asnjë ligj ndërkombëtar nuk është i vlefshëm për të mbrojtur të drejtën e jetës për civilët e pambrojtur, për fëmijët, gratë dhe pleqtë që për çdo ditë numërojnë qindra jetë të humbura në mënyrën më mizore të mundshme! Kjo tregon për atë se deri në çfarë ekstremi ka shkuar mendja e sëmurë njerëzore, me pretendime antihistorike për të mbrojtur mite e legjenda të paqena.

Ekstremizmi fetar

midle

Thuhet se në thelbin e të gjitha konflikteve dhe luftërave të mëdha të njerëzimit rëndom qëndrojnë arsye fetare! Kjo tezë gjerësisht është mbështetur nga shumë historianë e politologë. Edhe mendimtari i njohur amerikan Samuel Huntington ka argumentuar gjerësisht se identitetet kulturore dhe fetare janë themeli i ndarjeve që çojnë në konflikte. Por, shtrohet pyetja se si ka mundësi që arsyet fetare të jenë burimi i konflikteve, derisa të gjitha besimet hyjnore ftojnë në paqe dhe dashuri mes njerëzve?! Si ka mundësi që në mesin e vëllazërisë abrahamike të zhyten me miliona viktima të pafajshme në lumin e madh të tragjedive njerëzore, një lum që po vazhdon të rrjedh përgjakshëm edhe në ditët e sotme?! Kur njeriu mendon esëll dhe me logjikë të shëndoshë, veprimet e tilla i sheh si një devijim shoqëror, që vjen si pasojë e lakmisë së sëmurë për dominim dhe supremaci. Por, në thelbin e këtij devijimi qëndron ekstremizmi, si një veprim reaktiv për të çuar deri në fund agjenda të dyshimta dhe tejet të pakuptimta.

Për më tutje, ekstremizmi fetar është produkt i manipulimit të masës edhe në mesin e besimeve të njëjta fetare. Prandaj, edhe sot e kësaj dite në botën krishtere ka konflikte të hapura në mes katolikëve, ortodoksëve e protestantëve ose në botën islame mes sunitëve e shiitëve. Madje, për shembull, rryma të caktuara fetare edhe brenda vetë Islamit sunit, janë në kundërthënie të dukshme mes tyre për shkak të ekstremeve që i ndjekin shkollat e caktuara fetare. Për fat të keq, praktika të tilla kanë filluar të veprojnë hapur në dekadat e fundit edhe nëpër Ballkan dhe trojet shqiptare, duke u përpjekur ta shpërfytyrojnë identitetin e rrënjosur me shekuj tradicional islam, në këmbim të një identiteti të ri kulturor me sfond arabik. Ky lloj ekstremizmi fetar që po shfaqet hapur, jo vetëm se nëpër faltore të veçanta (me rite e praktika të reja fetare, me veshje dhe dukje jonormale, me ridefinimin e raporteve familjare), por gjithkah në jetën tonë shoqërore përbën një njollë të zezë brenda identitetit tonë fetaro-kombëtar, që në perspektivë pa dyshim se do të shkaktojë dëme dhe ndarje të mëdha e të rrezikshme.

Ekstremizmi nacionalist

Shumë lëvizje kombëtare të popujve të mirorganizuar, nëpër periudha të caktuara të historisë janë ngritur në ideologji ekstreme, duke e tejkaluar motivin për të cilin ishin formuar. Dëshira për t’i shtypur popujt e tjerë më të vegjël dhe për të gllabëruar sa më shumë territore dhe pasuri natyrore në kurriz të tyre, ka bërë që ato lëvizje nacionaliste të marrin një sfond ekstremist.

Ekstremizmi nacionalist, i ushqyer si nga ideologjitë e djathta, ashtu edhe ato të majta, ka lënë pasoja të riparueshme për njerëzimin. Për fat të keq, ky lloj i ekstremizmit edhe sot e kësaj dite është i pranishëm në mesin e kokave të sëmura të politikanëve aktivë europianë e botërorë, të cilët në emër të, gjoja, një nacionalizmi progresiv, rrezikojnë sigurinë e tyre kombëtare dhe të shteteve e popujve përreth.

Aktualisht, në skenën politike botërore janë në ngritje e sipër forcat e djathta ekstremiste, të cilat paralajmërojnë ndryshime drastike të hartës së botës. Presidenti amerikan Tramp shfaq interes të hapur për aneksimin e Kanadasë e Grenlandës, derisa në Lindje presidenti izraelit, Netanjahu, synon ta rrafshojë për tokë Gazën palestineze dhe ta zhbëjë me gjithçka që ka. Rusia putiniste tani e disa vite lufton për shkëputjen e disa territoreve ukrainase, që i pandeh si të vetat. Në Ballkan, presidenti serb Vuçiq nuk i ndal pretendimet territoriale ndaj Kosovës së pavarur shqiptare, ndërsa bashkë me sivëllain e tij Dodik të Republikës Srpska të BeH, ende ëndërrojnë krijimin e Serbisë së Madhe. Edhe në Maqedoninë e Veriut forcimi dhe riardhja në pushtet e një partie nacionaliste maqedonase (VMRO-DPMNE), përmes veprimeve ekstremiste me karakter të theksuar monoetnik, e rrezikon seriozisht harmoninë ndëretnike e ndërfetare dhe, rrjedhimisht, edhe sigurinë e shtetit.

Në këto rrethana, sot për sot bota po përballet me një pasiguri të madhe për shkak të linjave ekstremiste aktive që ndjekin politikanë të papërgjegjshëm. Duke pasur parasysh faktin që këto shtete të fuqishme disponojnë me arsenale të mëdha të armëve bërthamore, shpërthimi i një konflikti eventual me përmasa botërore mund të nënkuptojë një katastrofë të paimagjinueshme njerëzore, shumë më të madhe se në të gjitha luftërat e deritanishme.

Prandaj, çtensionimi i gjendjes së sigurisë botërore aktualisht kërkon mendje të zgjuara dhe të matura, që nuk vënë në rrezik fatet e njerëzve në interes të ideologjive ekstreme. Mbase, ndjekja e një Rruge të Mesme, më të ekuilibruar dhe larg ekstremizmave, qoftë fetare apo kombëtare, do të mund të ishte ideale për daljen e njerëzimit nga kriza aktuale. Në këtë frymë vjen edhe porosia universale e Dalai Lamës: “Asnjëherë mos shko në ekstreme; maturia dhe durimi ndërtojnë ura, ndërsa ekstremizmi ngre mure.”

Comments