Erdogan bën thirrje që “Allahu ta shkatërrojë Izraelin sionist”, reagon ashpër Tel Avivi

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar e ka kritikuar ashpër Rexhep Taip Erdoganin pasi presidenti turk bëri thirrje për shkatërrimin e Izraelit gjatë namazit të Bajramit.
Të dy vendet u përfshin në një mosmarrëveshje gjatë vikendit pasi Turqia kritikoi sulmet ajrore izraelite në Liban, të cilat u kryen si përgjigje të sulmeve me raketa në territorin izraelit.
Pasi vizitoi një xhami për festën e Fitër Bajramit, që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit, Erdogan i tha turmës: “Ne po e shohim se çfarë po ndodh në Palestinë. Allahu e shkatërroftë Izraelin sionist.”
“Duhet të ndjekim se çfarë po ndodh atje dhe prandaj duhet të jemi të bashkuar, të fortë dhe vëllazëror.”
Si përgjigje, Sa’ar shkroi në platformën X se “diktatori Erdogan tani e ka ekspozuar fytyrën e tij antisemite”.

“Erdogan është i rrezikshëm për rajonin, si dhe për popullin e tij, siç është treguar ditët e fundit. Le të shpresojmë se anëtarët e NATO-s do ta kuptojnë këtë – dhe sa më shpejt, aq më mirë”, shkroi ministri i Jashtëm.
Ky shkëmbim fjalësh pasoi një përplasje mes ministrive të jashtme të dy vendeve gjatë fundjavës. Të premten, dy raketa u hodhën nga territori libanez drejt Izraelit verior.
Megjithëse Hezbollahu mohoi përgjegjësinë, Izraeli si kundërpërgjigje kreu sulme në disa objektiva, duke përfshirë Bejrutin.
Ministria e Jashtme turke i dënoi sulmet, duke thënë se ato përbënin “shkelje të marrëveshjes së armëpushimit” midis Izraelit dhe Libanit.
Ministria e Jashtme e Izraelit u kundërpërgjigj të shtunën, duke theksuar “hipokrizinë” e Erdoganit, i cili predikon “vlera të larta morale për komunitetin ndërkombëtar”, ndërsa në të njëjtën kohë “shtypë dhunshëm qytetarët e tij dhe arreston në masë kundërshtarët politikë”.