Escobar paralajmëron pasoja për Kosovën: Nëse refuzojnë angazhimin e BE-së, BE-ja nuk do të angazhohet për masa shtesë në integrim

173

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) se është i shqetësuar me mesazhet që vijnë nga Prishtina, në të cilat kritikohet emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Escobar tha se nuk sheh “asnjë dëshmi të njëanshmërisë” te ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë.”, tha Escobar.

Pas rundit të fundit të pasuksesshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Bashkimi Evropian (BE) e mbajti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si përgjegjës për faktin se nuk ka pasur progres në dialog.

Kurti më pas deklaroi se përfaqësuesi special i BE-së “u pozicionua kundër Kosovës”.

Esobar theksoi se SHBA-ja pret që të dyja palët “të forcojnë përkushtimin e tyre dhe që Kosova të tregojë më shumë pragmatizëm dhe realizëm në qasjen e saj ndaj BE-së”.

Z. Escobar, më lejoni të filloj me dialogun Serbi-Kosovë. Çfarë shihni si rrugëdalje nga ngërçi i dialogut Serbi-Kosovë?

Gabriel Escobar: Shikoni, në këtë moment nuk ka alternativë përveç dialogut. Pra, e rëndësishmja për të dyja palët është që të vazhdojnë t’i përmbahen dialogut. Tani, jam i sigurt që e keni parë deklaratën e z. Borrell [Josep]. Ne, vërtet, po i bëjmë thirrje palës së Kosovës që të jetë më konstruktive. Dhe, më duhet të them që jam pak i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina. Unë kam punuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian [Miroslav Lajçak]. Unë nuk shoh asnjë dëshmi njëanshmërie. Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë.

Ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë, ajo që po përpiqet të bëjë BE-ja është krijimi i kushteve për normalizim dhe, gjithashtu, për harmonizimin për integrim në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë. Pra, mendoj se përgjigjja është që të dyja palët t’i dyfishojnë përpjekjet, por pala kosovare të tregojë më shumë pragmatizëm dhe më shumë realizëm në qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian.

Pra, a mendoni se mund të ketë masa shtesë ndaj të dyja palëve nëse nuk ecin përpara me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të saj? A po shqyrton SHBA-ja masa të mundshme ndaj të dyja palëve, në atë rast?

Gabriel Escobar: Nuk do të thosha masa. Do të thosha pasoja. Tani, ju them se pasojat, me të cilat ballafaqohet Kosova, është se nëse ata refuzojnë të angazhohen me Bashkimin Evropian, Bashkimi Evropian nuk do të angazhohet për ndihmë shtesë dhe masa shtesë për integrim.

Shikoni, unë mendoj se këto masa janë duke pasur ndikim në Kosovë dhe në ekonominë e Kosovës. Shpresoj që të paktën në mënyrë bilaterale, Shtetet e Bashkuara të mund të punojnë me Kosovën për të gjetur një mënyrë për t’i hequr ato masa në vitin 2024. Kështu që, ne do të vazhdojmë të punojmë me Kosovën për ta afruar me Bashkimin Evropian. Por, ne do të kishim dëshirë të shihnim një vullnet politik dhe lëvizje në atë drejtim, gjithashtu.

A ka një afat për këtë?

Gabriel Escobar: Jo, jo… Kjo është për keqardhje. Pra, dua të them, këto masa janë të pacaktuara derisa të ketë një lëvizje drejt progresit si në [Marrëveshjen e] Ohrit, ashtu edhe në një plan shtensionimi.

A janë SHBA-ja dhe BE-ja në të njëjtën linjë kur bëhet fjalë për atë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese? Po e bëj këtë pyetje sepse zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk pranoi sot shprehimisht seqëndrimi i BE-së është se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të merret parasysh gjatë themelimit të Asociacionit.

Gabriel Escobar: E kemi thënë vazhdimisht se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të krijojë probleme brenda Kosovës për funksionalizim, duhet të jenë në përputhje me Kodin e saj ligjor, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Pra, brenda kësaj, unë ende mendoj se ka një kapacitet të madh për t’i lejuar serbët të menaxhojnë shërbimet e tyre komunale në një mënyrë që u përshtatet më së miri qytetarëve të tyre, pa u bërë Republikë Sërpska./rel/

Comments