Evropa megjithatë do ta shpëtojë Malin e Zi nga borxhi kinez

590

Evropa megjithatë do ta shpëtojë Malin e Zi nga borxhi kinez

Një institucion financiar shtetëror evropian është i gatshëm të rifinancvojë 809 milionë dollarë të borxhit të Malit të Zi ndaj Kinës, duke ia lejuar republikës së vogël në Adriatik të bëjë kursime dhe të ulë kushtet e interesit, ka thënë ministri malazez i Financave të enjten, raporton Reuters.

Kina e sheh Ballkanin Perëndimor, ku bëjnë pjesë, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina e Serbia, si pjesë të iniciativës së saj të Rripit dhe Rrugës për të zgjeruar ndikimin kinez. Pekini ka investuar miliarda në rajon, kryesisht përmes kredive të buta në infrastrukturë dhe energji, gjë e cila mund të komplikojë zgjerimin evropian në Lindje, transmeton Zeri.info.

Kredia kineze e vitit 2014 për ndërtimin e një pjese të autostradës nga brigjet Adriatikut të Malit të Zi – anëtare e NATO-s dhe kandidate për t’u bashkuar me BE-në – deri në kufirin me Serbinë, bëri që borxhi i Malit të Zi të shkojë në një total prej 103% të prodhimit ekonomik dhe detyroi qeverinë e Mali të Zi që të kërkojë ndihmë nga BE-ja. Në një seancë të Komisionit parlamentar për Financat dhe Buxhetin, ministri malazez i Financave, Milojko Spajiq nuk pranoi të identifikojë institucionin financiar evropian për shkak të një marrëveshjeje konfidencialiteti, por tha se diskutimet ishin “në fazën e fundit”.

Më 11 qershor, agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se Brukseli i është drejtuar Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) – të dyja këto banka zhvillimore në pronësi të shtetit – si dhe huadhënësit shtetëror italian CDP për të udhëhequr ndihmën financiare për Malin e Zi. “Në vend të interesit prej 2% (dollarë) për borxhin (kinez)… kursi tani do të jetë 1% në euro, ‘grace’ periudha prej gjashtë vjetësh,… dhe rikthimi për 20 vjet”, tha Spajiqi në Komision.

Ministria malazeze e Financave gjithashtu paraqiti një amandamentim në buxhetin 2021 që do të shërbente si një parakusht ligjor për rifinancimin ose riblerjen e borxhit shtetëror. Buxheti ka qenë subjekt i debatit të zgjatur në Parlamentin me 81 ulëse.

Kujtojmë se në prill të këtij viti, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Ana Pisonero, pati thënë se blloku “nuk shlyen hua nga palët e treta”, ndonëse pati shtuar se Brukseli ka shqetësime për “efektet socio-ekonomike dhe financiare, që mund t’i kenë disa nga investimet e Kinës”.

Pisonero, megjithatë, pati thënë se BE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje përmes Planit të saj Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, që kap vlerën prej 10 miliardë eurosh.

Autostrada në Mal të Zi, për të cilën shteti ka hyrë në borxh me Kinën, ende nuk ka përfunduar. /Zëri

Comments