Falja e parë e presidentes Osmani, për çka ishte dënuar Arza Cakolli
Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar dje për herë të parë prejse është emëruar presidente, një dekret për faljen e dënimit për një të burgosur.
Osmani ka zgjedhur të falë Arza Cakollin me arsyetimin se e njëjta ka lindur fëmijë në burg.
“Vendimi është marrë për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, ngase e dënuara ka lindur foshnjën e saj të parë gjatë vuajtjes së dënimit dhe ndodhet në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan, së bashku me foshnjen e saj”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Tutje shtohet se për këtë vendim janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë.
“Në marrjen e vendimit për falje, janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, duke përfshirë faktin se e dënuara nuk ka kryer asnjë vepër penale më herët, vepra penale për të cilën është dënuar është për “Rrezikim të Trafikut Publik”, pra është kryer aksident pa dashje, ndërkaq është vërtetuar se nuk ka qenë nën ndikim të alkoolit apo substancave të tjera kur ka ndodhur aksidenti”, bën të ditur Presidenca.
E njëjta sot është liruar nga burgu dhe së bashku me fëmijën i janë bashkëngjitur familjes.
Për çka ishte burgosur Arza Cakolli?
Cakolli ishte e dënuar për një vetaksident që e kishte shkaktuar më 24 dhjetor të vitit 2017, e ku si pasojë kishin vdekur dy persona e që ishin shoqet e saj.
Aktakuza ndaj saj ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj më 25 janar 2018.
Sipas aktakuzës, e akuzuara Azra Cakolli kishte qenë duke vozitur në rrugën Ferizaj-Greme kur kishte humbur kontrollin e veturës ‘Opel Vectra’ dhe kishte dalë nga rruga. Si pasojë, vetura u rrotullua dhe dy shoqet e saja, E.M dhe E.I, morën lëndime vdekjeprurëse.
Me këtë, sipas prokurorisë, ajo akuzohej se kishte kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.
Gjykata Themelore në Ferizaj, në një aktgjykim të janarit 2019 e dënoi Cakollin me 18 muaj burgim efektiv.
Ajo ishte obliguar që të paguajë edhe 30 euro për kompensim të viktimave, si dhe 30 euro për paushall gjyqësor si dhe për shpenzime të tjera të procedurës shumën prej 91,54 euro. Ndaj saj, gjithashtu ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, marrja e patentë shoferit.
Cakolli kishte filluar ta mbante dënimin në burg prej 14 muajsh nga korrikut i vitit të kaluar kurse pritej të lirohej në shtator të këtij viti.
Falja e parë e presidentes
Arza Cakolli është e dënuara e parë që falet nga presidentja Vjosa Osmani, qëkur ajo mori detyrën në vitin 2021.
Mbi 100 kërkesa vetëm gjatë 2024 kishin shkuar në zyre të Presidentes Vjosa Osmani, me të vetmin qëllim, që ajo t’ia falte një pjesë të dënimit të mbetur të burgosurve në burgjet e Kosovës ose dënimin e plotë.
Megjithatë, Osmani deri më tani kishte refuzuar ta bëjë një gjë të tillë, pa dhënë ndonjë arsye konkrete.