Fitoi lotarinë 1.8 milionë paund, e la të gjithën për drogë, makina!
Fati mund të tregohet bujar me dikë, por jo të gjithë dinë ta vlerësojnë. Callie Rogers ishte vetëm 16 vjeç në qershor 2003 kur fitoi lotarinë britanike. Jo pak, por plot 1 milion e 875 mijë sterlina! 15 vjet më pas ajo ka humbur gjithçka, pasi i bëri rrush e kumbulla me drogë, makina e rritje gjoksi.
Tashmë 31-vjeçare, keqardhja më e madhe që ndjen Callie është se nuk ka para për kurimin e djalit të saj të vogël, Blake, 6 vjeç, i cili është i paaftë fizikisht, nuk mund të ecë pa u ndihmuar, nuk mund të flasë e madje as nuk arrin të gëlltitet siç duhet për shkak të një çrregullimi cerebral.
Me shumë mundësi ai do të ketë nevojë për kujdesje gjatë gjithë jetës së tij. Callie e di që gjërat mund të kishin qenë ndryshe dhe rruga për të birin mund të kishte qenë disi më e lehtë nëse ajo do të ishte treguar më e zgjuar me paratë.
“Pjesën më të madhe të kohës nuk më bëhet vonë për paratë”, thotë. “Por keqardhja ime më e madhe është që nuk kam para për Blake. Atij i pëlqejnë stimulimet me sensorë. Sikur t’i kisha paratë, do t’i jepja dhomën më të madhe me sensorë të mundshme”.
Pa dyshim që do të kishte qenë në gjendje t’ia blinte, pasi 15 vjet më parë u bë fituesja më e re e lotarisë milionere britanike. Të gjithë menduan se ajo ia hodhi jetës njëherë e mirë, por nuk ishte e thënë. Në më pak se një dekadë para avulluan.
Pushime, shtëpi – një për mamanë, një për gjyshërit, disa për vete – dhe rritja e gjoksit. Edhe makina të shpejta, disa të blera për të dashurit që nuk qëndronin as sa t’i ikte era e makinës së re. Pastaj droga, ndonëse këmbëngul se nuk ka harxhuar 250 mijë sterlina për të, siç thonë.
“Është qesharake”, thotë. Gjithçka që ka mbetur nga gjithë ato parà është shtëpia e gjyshërve, e cila do të jetë e saj pas vdekjes së tyre. “Kjo do të thotë se nuk kam humbur gjithçka. Të paktën do të mbetet diçka për fëmijët e mi”, thotë.
Ajo jeton me Blake dhe vajzën 2-vjeçare, ndërkohë që pasi harxhoi gjithë paratë punoi si pastruese e më pas hyri në shkollë për kujdesje sociale, punë të cilën e bën tani. Ndonëse nuk vuan për bukën e gojës, thotë se i duhet të shtrëngohet shumë, si të gjitha nënat beqare. Jeta nuk ka qenë e lehtë për të, hiq fitoren e lotarisë.
Callie ka edhe dy fëmijë të tjerë, Kian e Debony — 13 e 11 vjeç — të cilët nuk jetojnë me të, ndonëse ajo i takon çdo javë. Gjykata ia ka lënë babait të tyre. Arsyeja? Më 2009, kur paratë ende ishin, ndonëse të pakësuara shumë, ajo arriti fundin. Tentoi vetëvrasje, jo një por dy herë, në vitet pas fitores. A mund të kishte vepruar më mirë me paratë ndonjë 16-vjeçare? A duhen lejuar adoleshentët të vihen në këtë pozitë? Callie tani mendon ndryshe.
“Nuk mendoj që 16-vjeçarët duhet të jenë në gjendje të ftojnë lotarinë, sepse në atë moshë nuk je i përgatitur për të”, thotë. “Deri në 18 vjeç nuk të lejohen lojërat e fatit. Pse duhet të jetë ndryshe me lotarinë? Unë blija shtëpi pa e pasur idenë për përgjegjësitë që përfshiheshin. Nuk dija si të paguaja faturat, sepse nuk më ishte dashur kurrë. Nuk e dija çfarë ishte taksa e shtëpisë. Mendoj se nëse dikush nën 21 vjeç fiton lotarinë, duhet t’ia japin me këste, si në Amerikë”.
Pavarësisht humbjes së parave, Callie nuk ndihet dështake, përkundrazi. “Tani punoj shumë që të siguroj jetesën e fëmijëve. Mund të mos i kem më gjithë ato parà, por ndihem më e lumtur. Njerëzit nuk e besojnë, por është e vërtetë. Nuk kam qenë kurrë e interesuar për paratë”./d.i/SYRI.NET