Shkup, 2 gusht – Habibe Duraku, shqiptarja 30 vjeçare nga Haraçina e Shkupit e cila synon majat e politikës belge, më 14 tetor do të garojë për ansambleiste të këshillit kmunal në komunën ‘’Evere’’ në Bruksel. Ajo në një prononcim për Agjencin e Lajmeve Zhurnal thotë se do tja dalë ti fitojë zgjedhjet pasi që komuna në të cilën garon ajo ka shumë banorë shqiptarë.
Zhurnal.mk: Kush është Habibe Duraki?
Habibe Duraku: Unë jam e lindur në Shkup, dhe jetoj në Belgjikë për më shumë se 25 vite. Jam 30 vjeçare, e martuar, dhe kam tre fëmijë. Pasi mbarova shkollën e mesme, kam kryer bachelor në shkencat humane dhe sociale. Pastaj kam kryer masterin në univerzitetin “Université Libre de Bruxelles » për kriminologji. Jam aktiviste e çështjes kombëtare shqiptare me pjesëmarrje të rregullta në manifestime dhe aktiviteteve tjera në të mirën e popullit, dhe promovimin e kulturës shqiptare. Sa i përket angazhimit politik, jam pjesë e partisë socialiste që nga viti 2012. Kyçjen time në parti e bëri Ahmet Gjanaj, deputet i regjionit të Brukselit, të cilit i jam shumë mirënjohëse.
Zhurnal.mk: Për çfarë jeni në garë?
Habibe Duraku: Me 14 tetor 2018, në Belgjikë mbahen zgjedhjet komunale, ku do të përcaktohen ansambleistë të këshillit komunal për 6 vite. Në sistemin zgjedhor belg, varësisht nga votat që i fiton, të përcaktohet posti të cilin do t’a udhëheqësh gjatë mandatit. Konkretisht kandidoj në komunën ‘’Evere’’ në Bruksel, në listën zgjedhore ‘’LB – liste du Bourgmestre’’. Përfaqësoj ‘’PS -partinë socialiste’’ me numrin 18.
Zhurnal.mk: A mendoni se do t’ia dilni? A do t’i fitoni zgjedhjet?
Habibe Duraku: Duke u bazuar në faktin se në komunën “Evere” banojnë shumë shqiptarë, dhe që kam përkrahjen e Ahmet Gjanaj, dhe Rudi Vervoort ministër i tërë regjionit të Brukselit. Mos hezitimi im për t’i ndihmuar të tjerët, këshillimin e tyre për çdo procedurë administrative si dhe informimin e duhur rreth të drejtave të tyre, ka krijuar kontakt direkt me komunitetin tonë. Shpresoj se do të kem mbështetjen e duhur për të fituar zgjedhjet. Dua të potencoj se fitorja është në duart e popullit, pasi ata zgjedhin.
Zhurnal.mk: Çfarë nëse fitoni?
Habibe Duraku: Qëllimi fillestar është për të fituar, e nëse do të fitoj me emrin tim, dua të ngris imazhin e shqiptarëve, dhe pozitën e femrës shqiptare në shoqërinë tonë, pasiqë jam edhe aktiviste në shoqatën feministe ‘’Femmes prevoyantes socialistes ’’. Unë besoj në faktin se secili njeri brenda mund të arrij qëllimet e tij dhe ngritjen në shoqëri pa marr parasysh rrethanat se si rritet. Angazhimi im në terren do t’i përkushtohet mirëqenies sociale, si dhe përmirësimi i jetës së personave me aftësi të kufizuara.
Zhurnal.mk: Si arritët të bëheni pjesë e garës zgjedhore?
Habibe Duraku: Siç e potencova edhe më lartë, jam kyçur në parti në moshë të re, do të veçoja dy faktorët kryesor të cilët më motivuan të bëhem pjesë e listës zgjedhore të komunës sime, njëri nga faktorët është se e kam parë të nevojshme angazhimin tim personal pasi përballur nga afër me aktivitetet politike duke qenë në këshillin administrativ si udhëheqëse e komunikimit që nga viti 2016. Faktori tjetër është se puna ime, angazhimi im i hershëm dhe i përkushtuar në detyrat e përcaktuara në organizatat e ndryshme komunale, u bë shkak që të më propozojnë si kandidate në zgjedhje. Duke e marrë parasysh se prezenca e grave në politikë dhe mosha ime e re ata e konsideruan të arsyeshme, pjesëmarrjen time në politikë.