Frikë nga një luftë e mundshme me Rusinë, Suedia përgatitet të hapë varre për 30 mijë ushtarë
Në Gothenburg, Kisha e Suedisë është ngarkuar nga Agjencia Kombëtare për Emergjencat Civile (MSB) të përgatitet për mundësinë e varrosjes së deri në 30 mijë ushtarëve në rast lufte ose ndonjë katastrofe të rëndë. Lajmin e bën të ditur Nordic Times.
Sipas gazetës, liderët suedezë kanë dhënë mesazhe të qarta kohët e fundit, duke lënë të kuptohet se Suedia është tashmë në një situatë konfliktuale me Rusinë, ose se lufta mund të jetë një realitet i afërt.
MSB-ja ka bërë thirrje gjithashtu që kishat dhe shërbimet funerale të përgatiten duke siguruar toka për varrime masive në një kohë të shkurtër.
“Duhet të jemi gati për të varrosur ushtarët e rënë. Kjo është diçka e re për ne, dhe po fillojmë të përgatitemi tani”, tha Katarina Evenseth, përgjegjëse për varrezat pranë Kishës Luterane të Suedisë, e cila administron shumicën e varrezave në Goteborg.
MSB-ja ka kërkuar që qyteti të caktojë 10 hektarë tokë për këtë qëllim, duke bërë të mundur varrosjen e një numri të barabartë me 5% të popullsisë lokale, nëse është e nevojshme.
“Ajo që e bën të veçantë këtë situatë është se trupat e ushtarëve të rënë mund të transferohen më vonë në vendet e tyre të origjinës ose në qytetet nga kanë ardhur, sapo situata të jetë stabilizuar”, përfundoi Evenseth në një intervistë për radion publike suedeze Sveriges Radio.