Fundi i pandemisë mund të sjellë fluks të emigrimit

349

 

Remzi Beqiri është duke pritur fundin e pandemisë apo edhe mundësinë e liberalizimit të vizave, që të largohet nga Kosova. Si arsye ai përmed kushtet ekonomike.

“Rasti i parë që më vjen, do të shkoj”, thotë Remziu.

Remziu punon në një kompani private në Kosovë dha paga mujore e tij është rreth 400 euro. Këto të ardhura, thotë se janë të pamjaftueshme për familjen e tij gjashtëanëtarëshe. Në këtë familje punon vetëm Remziu.

Vendin ku ai synon të emigrojë është Gjermania. Ai thotë se kishte punuar një herë në shtetin e Gjermanisë, përkohësisht, para luftës në Kosovë më 1999.

“Këtu (në Kosovë) punoj si ndërtimtar. Atje (në vendet e BE-së) paguhet më shumë, varet, për shembull një mjeshtër 20 euro e ka orën, e këtu deri në tri euro ora. Punoj nëntë orë. Vetëm për shkaqe ekonomike do të isha larguar. Rrogat e dobëta, njeriu po mundohet për fëmijët që të kenë një ekzistencë më të mirë, për asgjë tjetër”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Kosova përballet me nivel të lartë të papunësisë dhe atë deri në 25 për qind.

Mbi 70 për qind e të papunëve në Kosovë, raportojnë se janë të papunë për më gjatë se 12 muaj.

Ky nivel i papunësisë ka bërë që Kosova të jetë shteti më i varfër në rajon. Paga mesatare bruto e të punësuarve në Kosovë, në vitin 2020 ishte 466 euro.

Për katër vjet mbi 120 mijë persona ikën nga Kosova

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në periudhën 2015- 2019, nga Kosova janë larguar mbi 120 mijë persona. Në të dhënat zyrtare të emigrimit janë të përfshira emigrimi në mënyrë të rregullt dhe të parregullt.

Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë emigruar nga Kosova gjatë kësaj periudhe, u shënua në vitin 2015, kur u larguan mbi 75 mijë qytetarë.

Përveç vendeve të Bashkimit Evropian, një numër i kosovarëve kishin emigruar edhe në vende të tjera kryesisht në Shtetet e Bashkuara, Turqi dhe Kanada.

Të dhënat për vitin 2020, nuk janë të publikuara.

Albana Rexha, analiste e politikave publike në organizatën Demokraci Plus, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga studimet që kanë bërë, shihet se ka një tendencë të lartë të të rinjve në Kosovë, që të largohen për në shtete të tjera.

Faktorët motivues për të emigruar, thotë ajo, kryesisht ndërlidhen me kushtet e jetës, gjetja e një pune më të mirë, shëndetësi më të mirë dhe arsim më cilësor.

“Mund të kemi një fluks tjetër të emigrimit, nëse vazhdon kjo gjendje ekonomike dhe ky nivel i papunësisë. Por, ky nuk është faktor i vetëm, sepse ka edhe shumë të rinj që edhe pse kanë një punë, sërish, për një standard më të mirë mund të lëvizin”, thotë Rexha.

Në Kosovë, profili i emigrantit ka ndryshuar ndër vite. Gjatë viteve të fundit, nga Kosova janë larguar persona të kualifikuar, me shkollim të avancuar. Ata kanë emigruar në mënyrë të ligjshme, duke gjetur punë në vendet e ndryshme të botës.

Kosto e lartë e emigrimit të të rinjve

Demokraci Plus në studimin “Kostoja e emigrimit të të rinjve”, thotë Rexha, ka vënë në pah se nga largimi i popullsisë, gjenerohet një humbje vjetore në produktin e brendshëm bruto, prej 519 milionë euro.

Ajo thotë se kjo i bie që çdo individ i punësuar që emigron nga Kosova, krijon humbje rreth 17 mijë euro në vit, në bruto në prodhimin e mundshëm të brendshëm vjetor.

“Rezultatet e hulumtimit tonë, tregojnë se rreth 4.700 euro janë investuar në arsimimin e secilit banor të Kosovës që ka kryer nëntë vjet të shkollimit fillor deri në vitin 2018. Ndërkaq, për ata që kanë përfunduar shkollimin e mesëm janë shpenzuar edhe rreth 5.650 euro, ndërsa për një person që ka kryer shkollimin e lartë, shtetit të Kosovës i ka kushtuar 9.700 euro”, thotë ajo.

Për tre vjet 220 mijë aplikime për viza

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, që nuk gëzon lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të pajisen me viza në ambasadat e vendeve të BE-së, që janë të vendosura në Kosovë.

Sipas të dhënave të Sistemit të informimit për viza shengen, në vitin 2018 janë regjistruar 90.840 kërkesa të përgjithshme për viza, prej tyre janë dhënë 71.209 viza. Në vitin 2019, janë bërë 108.774 kërkesa për viza, prej tyre janë dhënë 88.337.

Në vitin 2020, numri i kërkesave ka shënuar rënie, për shkak të situatës me pandeminë. Në këtë vit u bën 24.566 aplikime për viza dhe janë dhënë 19.068.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë mbi 850 mijë banorë./REL

 

Comments