Gjykata Supreme urdhëron Trumpin të zhbllokojë ndihmën ndërkombëtare

83
fresco

Në një vendim të ndarë thellësisht, Gjykata Supreme amerikane rivendosi urdhrin që administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, të zhbllokojë ndihmën ndërkombëtare të ngrirë, por nuk është e qartë se sa shpejt mund të zhbllokohen këto fonde.

Në një votim me rezultat 5 me 4, Gjykata Supreme refuzoi apelin urgjent nga administrata amerikane, ndërkohë që i kërkoi gjykatësit të Gjykatës të shkallës së parë, Amir Ali, që të sqarojë urdhrin e tij të mëparshëm që kërkon zhbllokimin e shpejtë të gati 2 miliardë dollarëve ndihmë për punën që veçse është kryer.

Pavarësisht se ky vendim mund të konsiderohet humbje, në terma afatshkurtër, për administratën e Trumpit, grupet jofitimprurëse dhe bizneset që kanë paditur janë ende duke pritur paratë që thonë se ju takojnë. Një nga organizatat javën e kaluar u detyrua të pushonte nga puna 110 punonjës si pasojë e mungesës së fondeve, u tha në dokumentet e gjykatës.

Gjykatësi Samuel Alito ishte në mesin e katër gjykatësve që kundërshtuan vendimin, duke thënë se Ali nuk ka autoritetin që të urdhërojë pagesat. Alito shkroi se ishte i habitur që Gjykata po “imponon një dënim prej 2 miliardë dollarësh mbi taksapaguesit amerikanë”.

Vendimi i Supremes lë në fuqi urdhrin për ndalimin e përkohshëm të lëshuar nga gjykatësi Ali, i cili kishte pezulluar ngrirjen e shpenzimeve. Ali do të mbajë një seancë dëgjimore për të shqyrtuar një pezullim më afatgjatë.

Shumica e gjykatësve në vendim thanë se administrata nuk kishte sfiduar urdhrin fillestar të gjykatësit Ali, por vetëm afatin, i cili ka skaduar javën e kaluar.

midle

Gjykata Supreme i tha gjykatësit Ali që të “sqarojë çfarë obligimesh duhet të përmbushë Qeveria për të siguruar që t’i përmbahet urdhrit për ndalim të përkohshëm”.

Kryegjykatësi John Roberts dhe gjykatësja Amy Coney Barrett, që të dy konservatorë, iu bashkuan tre gjykatësve të tjerë liberalë për të krijuar shumicën për këtë vendim.

Administrata Trump ka argumentuar se situata ka ndryshuar pasi ka ndryshuar bllokimin e përgjithshëm të shpenzimeve me vlerësimet individuale që çuan në anulimin e 5.800 kontratave të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe 4.100 grante të tjera të Departamentit të Shtetit, vlera e të cilave në total arrin gati në 60 miliardë dollarë.

Qeveria federale ka ngrirë ndihmën ndërkombëtare pas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga Trumpi që shënjestroi programet që ai i cilësoi si të padobishme dhe që nuk përputheshin me objektivat e politikës së tij të jashtme.

Në padinë që pasoi u pretendua se ky pezullim u bë në kundërshtim me ligjin federal dhe me të u tha se është ndërprerë financimi edhe për programet më urgjente jashtë SHBA-së, që shpëtojnë jetë.

Gjykatësi Ali urdhëroi rinisjen e përkohshme të financimit duke nisur më 13 shkurt, por dy javë më vonë ai gjeti se Qeveria nuk po tregonte sinjale se do të respektonte këtë masë dhe vendosi një afat tjetër për kryerjen e pagesave për punën që veçse ka përfunduar.

Administrata e apeloi këtë vendim, duke e quajtur urdhrin si “të gabuar” dhe e kundërshtoi afatin e caktuar për zhbllokimin e fondeve.

Comments