Greqia thotë se mbështetja e saj për hyrjen e Shqipërisë në BE është e kushtëzuar

113

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi sot se Greqia do ta mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj dhjetëvjeçare për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por me kusht që ajo t’i respektojë të drejtat e pakicës greke në vend.

Duke folur në nënshkrimin e një kontrate për një rrugë të re që lidh qytetin veriperëndimor grek të Janinës me fshatin shqiptar Kakavijë, Mitsotakis tha se Greqia gjithmonë ka ruajtur marrëdhënie të mira me fqinjën e saj në Adriatik.

“Ekziston një rrugë e vazhdueshme e kushteve drejt Bashkimit Evropian, ku ne jemi në thelb rregullatorët e shpejtësisë me të cilën Shqipëria do të ecë drejt Evropës”, tha Mitsotakis.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan pasi Shqipëria e arrestoi politikanin Alfred Beleri, gjatë një fushate për zgjedhjet lokale në Himara vitin e kaluar dhe e burgosi për blerje votash. Beleri u lirua këtë vit pasi fitoi një vend në Parlamentin Evropian si kandidat i partisë konservatore Demokracia e Re.

Shqipërisë, së bashku me Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë u është premtuar anëtarësimi në BE vite më parë dhe ato janë në bisedime me BE-në për mënyrën se si të përshpejtojnë reformat e nevojshme, të cilat do t’i ndihmojnë përfundimisht të bëhen pjesë e bllokut me 27 vende.

Procesi ka ngecur për shkak të përparimit të ngadaltë në reforma dhe gjithashtu për shkak të mungesës së dëshirës nga shtetet anëtare të BE-së për zgjerim të mëtejshëm. Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me BE në tetor, 15 vjet pasi kishte aplikuar për anëtarësim. /REL

Comments