Grubi përjashtohet nga UT-ja
Universiteti Shtetëror i Tetovës ka përjashtuar nga puna Artan Grubin, i cili ishte i punësuar si asistent në Fakultetin juridik në degën e Gazetarisë. Vendimi për shkarkimin e grubit ka nisur në datë 24 dhjetor. Dekani i fakultetit Juridik Safet Emruli, për Alsat është shprehur se Grubi është larguar për shkak të mos paraqitjes në punë dhe mos komunikimit drejtuesit e Universitetit të Tetovës.
“Më datë 24 dhjetor, pasi i punësuari në Universitetin e Tetovës, në fakultetin Juridik dega e Gazetarisë, nuk është paraqitur në punë për më shumë ditë, mos kryerjen e detyrave të tij ndaj vendit të punës që ka dhe mos komunikimit të organeve udhëheqëse të Universitetit të Tetovës për arsyen e mungesës dhe mos kryerjes së punëve, është shkarkuar nga puna. Vendimi është nënshkruar nga rektori i Universitetit të Tetovës Jusuf Zejneli, dhe i është dërguar të punësuarit përmes emailit zyrtar”, njofton Dekani i fakultetit Juridik, Safet Emruli,
Fakulteti Juridik
Artan Grubi i cili prej më shumë se tre javësh vazhdon të jetë i pakapshëm për organet e rendit në Universitetin e Tetovës si asistent ishte i angazhuar që nga viti 2012. Grubi kërkohet me fletarrest ndërkombëtar, njëjtë sikurse edhe Përparim Bajrami, ish drejtor i Lotarisë Shtetërore. Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të kodit penal, e cila parashikon dënim me të paktën katër vjet burg. Paraprakisht Grubi përfundoi në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin./Alsat.mk