Haradinaj: Askush nuk ka mandat për të biseduar për territorin

219

  

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka folur për propozimin e delegacionit qeveritar në dialog me Serbinë.

Haradinaj me këtë rast ka thënë se edhe pas këtij propozimi askush nuk ka në mandate që të vë në pikëpyetje territorin e Kosovës.

Ai ka thënë se asgjë nuk do të ndryshojë në parimin e tërësisë territoriale.

“Askush nuk ka mandate ta qesë në pikëpyetje territorin e Kosovës. Asgjë nuk ndryshon në parimin e tërësisë territorial me vendimin e Qeverisë. Ne nuk duam që të na ikë asnjë parametër i marrëveshjes. Këta nuk kanë autorizim që të sjellin diçka jo kushtetuese”, ka thënë Haradinaj,

Tutje Haradinaj është shprehur se nga takimet në Bruksel të presidentëve, nuk mund të vijë një marrëveshje e cila do të ishte e befasishme për shtetin e Kosovës.

“Presidentët mund të takohen mes vete, mirëpo material nuk mund t’i vjen Kosovës vetëm nga Presidenti. Nuk mund të vijë një marrëveshje e befasishme pa kaluar nëpër këta njerëz. Këto janë tema të mëdha dhe të ndijshme. U kam thënë edhe kolegëve të opozitës që më mirë të jeni tavolinë, dhe se ky është një kontribut që në proces mos të kemi befasi të gabume”, është shprehur tutje Haradinaj.

Ai në fund ka thënë se materiali i diskutuar në Bruksel do të kalojë në këtë ekip, dhe këta të fundit do të bëjnë vlerësimin se a është kjo marrëveshje e mirë apo e dëmshme për Kosovën.

Duke folur për idenë e presidentit Thaçi për diskutim të korigjimit të kufijve, Haradinaj ka përseritur qëndrimin e tij kundër kësaj ideje.

Ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës na obligon t’i ruajmë kufijtë dhe sipas tij askush nuk ka të drejtën të negociojë për territorin e Kosovës.

“Kushtetuta na obligon mi mbrojtë kufijtë. Askush nuk e ka të drejtën të negociojë për territorin e Kosovës”, është shprehur kryeministri. Haradinaj ka thënë se në këtë proces është mirë që të gjithë të jemi bashkë.

Comments