Haradinaj: E vërteta dhe drejtësia do të jenë më të plota kur të pranohet se edhe në Kosovë pati gjenocid

180

Pa një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, për krimet e gjenocidin në Kosovë, e vërteta dhe drejtësia për mijëra viktima, mbeten përgjysmë.

Kështu ka thënë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj vetëm një ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën, sipas së cilës 11 Korriku shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Sipas Haradinajt, rezoluta e OKB-së për Srebrenicën, është një hap i madh i pranimit të së vërtetës për mizoritë serbe në Bosnje, që duhet përshëndetur.

“Autorët e krimit e gjenocidit, të kudondodhur, duhet ta marrin dënimin. Varrezat masive, masakrat, ekzekutimet e mijëra qytetarëve, dhunimet dhe përndjekja e një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, s’mund të kenë emër tjetër përpos gjenocid”, ka thënë Haradianj, sipas të cilit r vërteta dhe drejtësia do të jenë më të plota, atëherë kur të pranohet se edhe në Kosovë pati gjenocid.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën për Gjenocidin në Srebrenicë me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime.

Ndër tjerash kjo rezolutë dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës.

Miratimi i kësaj rezolute u kundërshtua nga Serbia, derisa shtetet nismëtare, thanë se ajo nuk është kundër asnjë shteti, por shënjestron kryesit e gjenocidit.

Përveç Serbisë, vendet e rajonit – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia – votuan për.

Nga vendet e Bashkimit Evropian, Hungaria ishte kundër, ndërsa Greqia, Sllovakia dhe Qiproja abstenuan.

Kina, Rusia, Bjellorusia, Kuba dhe Nikaragua ishin në mesin e atyre që votuan kundër.

Vendet që votuan pro:

Shqipëria, Andorra, Australia, Austria, Belgjika, Bangladeshi, Bosnja dhe Hercegovina, Brunei, Bullgaria, Kepi i Gjelbër, Kanadaja, Çadi, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Xhibuti, Ekuadori, Egjipti, El Salvadori, Estonia, Fixhi, Finlanda, Franca, Gambia, Gjermania, Guinea-Bissau, Guajana, Irlanda, Indonezia, Iraku, Irani, Irlanda, Italia, Jordania, Japonia, Kuvajti, Letonia, Libia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malavi, Malajzia, Malta, Mauritania, Mikronezia, Myanmari, Mali i Zi, Holanda, Zelanda e Re, Nigeria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Pakistani, Palau, Polonia, Portugalia, Katari, Koreja e Jugut, Rumania, Ruanda, San Marino, Moldavia, Arabia Saudite, Senegali, Sierra Leone, Singapori, Sllovenia, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Zvicra, Tunizia, Turqia, Ukraina, Britania e Madhe, Uruguai, Jemeni, Zambia, Shtetet e Bashkuara dhe Tanzania.

Comments