Haradinaj fjalë të fuqishme nga Gllogjani: Kush vetëlavdërohet dhe mburret se s’na duhet Amerika, nuk është me këtë popull

Mesazhe të fuqishme artikuloi nga Gllogjani në Akademinë Përkujtimore të Epopesë së Gllogjanit, Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj, veç rikujtimit të luftës së lavdishme, ktheu vëmendjen edhe te Shtetet e Bashkuara të Amerikës që bënë që NATO-ja të bombardonte ish-Jugosllavinë e që çoi në çlirim të Kosovës nga forcat ushtarake dhe aparati shtetëror i Sllobodan Millosheviqit.

“Është mallkim nëse ne vetëlavdërohemi dhe harrojmë ndihmën e atyre që na kanë dhënë në kohën më të vështirë të jetës tonë, ndihmën e Amerikës. Është mallkim t’ia rrahim krahët njëri- tjetrit të themi se nuk kemi nevojë për askënd se ne vetë e ruajmë lirinë tonë, e mbrojmë kufirin e e mbrojmë veriun. Për të mbrojtur vendin në interes tonin e të jetës tonë e kemi jetike aleancën me Amerikën.
Kush vetëlavdërohet, kush mburret, ta dini se nuk me këtë vend e me këtë popull. Edhe ata të tjerë të huaj që na rrahin krahun e na thonë nuk keni nevojë më qoftë për Amerikën qoftë për të tjetër, nuk na duan të mirën. Aleancën me Amerikën duhet ta ruajmë si ditën e 24 marsit 1999”, tha Haradinaj para të pranishmëve në shënimin e 24 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.