Haradinaj kujton dëshmorët e prillit 1999: Ndër muajt më të dhimbshëm për shumë familje

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot një nga periudhat më të rënda të historisë së Kosovës, duke nderuar sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve që ranë në prillin e vitit 1999, në përballje me makinerinë ushtarake e policore serbe.
“Prilli i vitit 1999 shënon një ndër muajt më të dhimbshëm për shumë familje nga Llapi dhe Gollaku. Në përpjekje për t’i shpëtuar terrorit serb, mbi 124 civilë të pafajshëm ranë në pritën e forcave kriminale serbe, që nuk kursyen askënd, as fëmijë, gra e pleq”, shkoi Haradinaj në Facebook.
Ai përkujtoi gjithashtu edhe masakrën e rëndë në Devë të Gjakovës, ku u ekzekutuan mizorisht 7 vëllezër nga familja Bobi, si dhe krimin në Ribar të Vogël, ku u vranë 25 civilë – 19 nga ky fshat dhe 6 nga fshati Vërshec.
“Sot, në përvjetorin e Betejës së Marecit dhe masakrës në Makoc, Prishtina shënon Ditën e Dëshmorëve. Me nderim të thellë përkujtojmë trimërinë e Brigadës 153 ‘Hyzri Talla’ të UÇK-së dhe guerilës BIA”, thekson Haradinaj.

I pari i AAK-së ka përkujtuar gjithë dëshmorët që ranë më 18 prill 1999 në beteja të ashpra kundër forcave pushtuese serbe, në fshatrat Marec, Makoc, Sllovi dhe më gjerë.
Ai përmend me respekt dëshmorët: Sefedin Ilaz Vitia, Besim Isë Vitia, Fehmi Vitia, Muharrem Pacolli, Rrahman Murati, Ziaver Vllasaliu, Shabi Gërbeshi, Shabi Avdush Gërbeshi, Rrahim Azem Gërbeshi, Baki Salih Pacolli, Azem Miftar Hajdaraj, Enver Jahir Tahiri, Isuf Ibish Hoxha, Januz Zejnullah Jashari, Mehdi Zymer Fazliu, Naser Zeqir Sekiraqa, Shaban Beqir Avdiu, Visar Mustafë Hoti, Mustafë Llapashtica, Mehmet Sherif Visoka dhe Asllan Canë Dina.
“Po ashtu, në Gradinë të Rrafshnaltës së Drenicës, ku vepronte Brigada 121 “Ismet Jashari – Kumanova” dhe transmetonte Radio Kosova e Lirë, ranë në altarin e lirisë Mentor Morina, Halim Bajraktari, Mentor Gashi, Islam Kastrati dhe Ramadan Bytyçi”.
Haradinaj në fund thekson se liria që e gëzojmë sot është vepër e gjakut dhe sakrificës së luftëtarëve çlirimtarë, Dëshmorëve dhe Martirëve, që mbeten themel i shtetësisë sonë dhe frymëzim i përhershëm ndër breza dhe se sakrifica e tyre na obligon ta ruajmë këtë liri si pasurinë më të çmuar të kombit.