Haradinaj: Për të fituar Kosova, duhet ta heqim mashtruesin – shko Albin
Koalicioni AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30 e hapi sot fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj tha nga tubimi në sallën “1 Tetori” u kërkoi falje atyre që tha se mbetën jashtë.
Duke folur për koalicionin, ai tha se “ne e themi të vërtetën dhe e themi shqip, nuk i mëshojmë rrotull”.
“Kur vjen koha e mirë, krijohen, dalin, edhe njerëz të ligj. Albin Kurti është njeri i ligë”, tha Haradinaj, duke i thënë atij “shko!” disa herë.
Ai tha se “sot nevojiten edhe një herë njerëzit e zotë”.
“Këta janë të dëshmuar. Këta në çdo sferë të jetës kanë dhënë prova”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së tha se për të fituar Kosova, “duhet me e heq mashtruesin”.
“Për me fitu Kosova, duhet me e heq mashtruesin.. E pse duam ta heqim? Duhet ta heqim mashtruesin sepse duam siguri të plotë dhe siguri të përjetshme. Duam anëtarësim në NATO. Duam miqësi me Amerikën, për atë duam ta heqim mashtruesin”, tha Haradinaj.
Ai tha se duan ta sigurojnë përjetësisht vendin.
“Nuk duam të bëjmë lojëra me sigurinë nacionale pas shpinës së aleatëve tanë e në interes të Rusisë e të Serbisë nga argati i tyre”, tha Haradinaj.