Hill e hedh poshtë reciprocitetin në Bujanoc: Çështja e pakicës shqiptare nuk zgjidhet me dialogun Kosovë -Serbi
“Marrëveshja e Brukselit ka të bëjë me Kosovën e jo me minoritetin shqiptar në Serbi”, ka thanë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, gjatë vizitës së tij në Luginën e Preshevës, të hënën.
Ai e ka bërë të qartë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve mes tyre, e jo me ndonjë çështje tjetër, duke specifikuar shqiptarët që jetojnë në Serbi – kështu hodhi poshtë reciprocitetin potencial të pakicave shqiptare në Serbi dhe asaj serbe në Kosovë.
“Duhet të jem shumë i qartë kur them se dialogu në Bruksel ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Qëllimi i dialogut nuk është që të zgjidhen ndonjë çështje tjetër, çështjet e pakicave këtu apo në pjesët tjera të vendit”, ka thënë Hill.
Për më shumë, Hill ka thënë se çështja e minoritetit shqiptar në Serbi është ekskluzivisht çështje e shtetit të Serbisë dhe përsëriti se “nuk ka të bëjë fare me dialogun e Brukselit”.
Sipas tij, politika zyrtare e SHBA-së është të mbështesë dialogun e Brukselit dhe marrëveshjen e arritur, duke e shtuar si pjesë të rëndësishme edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Marrëveshja e arritur nuk ka ndërmend të kalojë kufijtë në asnjë mënyrë”, tha ambasadori amerikan i cili po qëndron në vizitë dy-ditore në Luginë.
I pyetur nga gazetarët për letrën e kongresmenëve amerikanë të cilët pas takimit me politikanë shqiptarë nga Bujanoci dhe Presheva, i kërkuan Sekretarit të Shtetit Amerikan Anthony Blinken që të formojnë një komunitet të komunave shqiptare, ambasadori tha se respekton atë që thonë kongresmenët, por një komunitet i tillë nuk është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit. /Express