Hoti për Kurtin: Për 4 vjet, e ka paraqitur Kosovën si vatër të mundshme konflikti e lufte

88

Kandidati për deputet në radhët e LDK-së njëkohësisht ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka thënë se për 4 vjet kryeministri Kurti e ka paraqitur Kosovën si vatër të mundshme konflikti e lufte.

Hoti, përmes një postimi në Facebook u shpreh se ekonomia, zhvillimi e investimet kanë qenë në plan të dytë.

Ndërsa theksoi se në plan të parë për të ka qenë nxitja e frikës e urrejtjes tek qytetarët e Kosovës për armikun e jashtëm, ofendimet përçmuese ndaj opozitës, si dhe sulmet e ulëta ndaj bizneseve të caktuara.

“Për 4 vjet, kryeministri në largim e ka paraqitur Kosovën si vatër të mundshme konflikti e lufte.

Ekonomia, zhvillimi e investimet kanë qenë në plan të dytë. Në plan të parë për të ka qenë nxitja e frikës e urrejtjes tek qytetarët e Kosovës për armikun e jashtëm, ofendimet përçmuese ndaj opozitës, si dhe sulmet e ulëta ndaj bizneseve të caktuara.

Pak ditë para zgjedhjeve, shkon në Davos e kërkon investime të huaja, duke shtrembëruar edhe të dhënat për zhvillimin ekonomik”, ka shkruar Hoti.

Tutje ka rënditur 5 pika që Hoti i listoi si të vërteta, duke thënë se për katër vite është abuzuar me 12 miliardë euro.

“E vërteta është se për katër vjet është abuzuar me 12 miliardë euro, duke mos kryer asnjë projekt madhor.

E vërteta është se janë krijuar skema të ndryshme sociale pa e kompletuar bazën ligjore, duke i lënë ato skema në vullnetin e vendimeve të qeverisë e ministrave.

E vërteta është se është abuzuar me rezervat shtetërore, me importin e energjisë e me shumë çështje të tjera.

E vërteta është se kriza energjetike është thelluar, është anuluar projekti i gazit dhe Kosova ka importuar afro 600 mil. euro energji në këta katër vjet.

E vërteta është se deficiti tregtar është thelluar edhe për 2 miliardë euro më shumë se para katër vjetësh”, ka shkruar Hoti./Indeksonline/

Comments