“I keni duart me gjak!’ Studentët në Serbi protestojnë për viktimat e Novi Sadit

94

Studentët universitarë në Serbi u mblodhën të mërkurën jashtë zyrës së prokurorit të përgjithshëm, për të kërkuar drejtësi për incidentin e ndodhur në stacionin e trenit të Novi Sadit muajin e kaluar, që u mori jetën 15 personave.

Mbi 1 mijë studentë vendosën simbolikisht fletushka në portën e zyrës së kryeprokurorit Zagorka Dolovac, duke i përcjellë atij mesazhin se, “studentët presin që ju të luftoni për ligj dhe drejtësi, i pandikuar nga politika dhe korrupsioni”.

Zyra e zotit Dolovac u përgjigj më vonë përmes një deklarate, ku i ftonte studentët në një takim.

Universitetet në Serbi janë bllokuar prej javësh për shkak të lëvizjes madhore qytetare që kërkon mbajtjen e përgjegjësisë për tragjedinë e 1 nëntorit, kur një strehë e stacionit hekurudhor u shemb duke zënë poshtë njerëzit.

Shumë qytetarë në Serbi fajësojnë për episodin e rëndë korrupsionin e shumëpërhapur dhe punimet e ngadalta për rinovimin e infrastrukturës, ku janë përfshirë kompani shtetërore kineze, efikasiteti i të cilave tani është vënë në dyshim.

Prokurorët kanë arrestuar 13 persona lidhur me tragjedinë e Novi Sadit, përfshirë një ministër, lirimi më vonë i të cilit nxiti skepticizëm mbi qëllimet e vërteta të hetimit.

Studentët serbë që kanë hyrë në grevë kanë gjetur mbështetjen e kategorive të ndryshme si profesorëve, aktorëve, fermerëve, e të tjera.

Në manifestimin e së mërkurës, të rinjtë mbanin në duar banera të bardhë me ngjyrë të kuqe mbi ta, për t’iu thënë autoriteteve se “ju keni gjak në duart tuaja”.

Comments