Ika e të rinjve, Gërxhaliu i reagon Bislimit: Kjo e prek në shpirt nënën kosovare

230

Njohës të ekonomisë e kanë kritikuar ashpër zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha të mërkurën se nga vendi nuk po ikin të rinjtë, por gjyshet që shkojnë tek nipërit e tyre në perëndim, duke thënë se kjo është goditje për prindërit që i përcjellin fëmijët e tyre për në vendet perëndimore.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë për Ekonomia Online, se kjo deklaratë nuk do të duhej të jepej nga askush, e lëre më nga në zëvendëskryeministër, i cili është edhe profesor e akademik.

“Kosova është duke ballafaquar me sfida të shumta, mungesa e stabilitetit politik, mungesa e një vizioni drejt ardhmërisë dhe të gjitha këto deklarata të cilat vijnë nga krerët institucional, për një pasiguri për luftë dhe konflikte, definitivisht po e rrisin në Kosovë, jo stresin, po më shumë ankthin. Definitivisht deklarata qe e kam dëgjuar dje nga zëvendëskryeministri, do të isha me i lumtur të mos e kisha dëgjuar fare, kur e di nivelin akademik të zëvendëskryeministrit, mirëpo një deklaratë të tillë duhet të analizohet në disa dimensione, jo në aspektin ekonomik, jo vetëm në aspektin social po duhet të analizohet në aspektin emocional, sepse vërtetë është një goditje e rëndë e prindërve tanë të cilët fëmijën e vetë e përcjellin drejt rrugës së gurbetit në mungesë të një përspektive drejt ardhmërisë”, tha Gërxhaliu.

Madje, sipas tij, duhet të ndalen tallje të tilla me shtetin, sidomos kur deklarata si kjo e Bislimit vijnë nga instanca të larta shtetërore.

“Prandaj besoj se është koha që nuk duhet të tallemi me shtetin, duhet të punojmë me tepër për shtetin se sa të flasim për shtetin dhe në qoftë se kjo ikje që e ka kapluar Kosovën shndërrohet në humor dhe në satirë është vula e mungesës së vizionit dhe e shkatërrimit të shtetit të quajtur Republika e Kosovës dhe kur deklarata të tilla vijnë nga instanca me të larta shtetërore, i jep një shtesë apo i jep një peshë shumë të hidhur krejt kësaj që e ka kapluar Kosovën, sepse po të ishte ashtu siç e thotë Bislimi, pse Kosova importon fuqi punëtore, pse sot sektori privat ballafaqohet me këto sfida, pse sot mbyllen shkollat në Kosovë, pse mbyllen sot çerdhet në Kosove, a nuk qenkan këto argumente qetësuese që duhet të dijë politikani Kosovar, në veçanti një akademik i nivelit të zëvendëskryeministrit”, u shpreh ai.

Ish-kryetari i OEK-ut, thotë se argumenti më i mirë i krejt kësaj që e ka kapluar Kosovën është një ikje në heshtje.

“Si duket ikja në heshtje nuk është sfidë për institucionet vendore sepse këta kërkojnë apo për këta është një ikje masive, çdo ditë e shihni që kemi me mijëra bileta të shitura, me mijëra udhëtarë të cilët udhëtojnë dhe ikin nga Kosova. Është e vërtetë që një pjesë e tyre kthehet, po të gjithë shkojnë me të vetmin qëllim në vizitën e parë që të identifikojnë një mundësi për punësim, liberalizim të mundësive apo rregullsive të komunikacionit në vende të zhvilluar evropiane, a nuk qenka një rrezik që po i kanoset Kosovës derisa të njëjtën kohë në Kosovë ikin qytetarët, ikë edhe kapitali i sektorit privat sepse nuk ka dialog, nuk ka iniciativë mbështetëse dhe vetë fakti që çdo gjë është politizuar dhe të gjithë flasim vetëm për politikë”, theksoi Gërxhaliu, duke shtuar se po të mos ishte problemi me Serbinë, atëherë me çfarë do të merrej kjo Qeveri.

“Lind pyetja në qoftë se Qeveria aktuale nuk do ta kishte problemin e Serbisë apo dialogun me Serbinë me çka do të ish marrë. Mos të ishte kjo sfidë, pra është një realitet i hidhur, por besoj që këtë qytetari e sheh këtë e kupton, por kjo e prek në shpirt nënën kosovare e cila do të thotë me mund të madh ka rritur këta fëmijë po si duket këta fëmijë lindin me gjykimin paraprak për të qenë shtyllë e zhvillimit ekonomik perëndimore, jo të shtetit amë Republika e Kosovës dhe në këtë drejtim një pjesë të përgjithësisë e bart politikanët kosovarë me pakujdesi me padijeni në dëm te shtetit dhe qytetareve të Kosovës”, deklaroi ish-kryetari i OEK-ut.

Gjatë ditës së mërkurë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se nga vendi nuk po ikin të rinjtë, por gjyshet dhe gjyshërit, të cilët po i vizitojnë djemtë dhe nipërit e mbesat e tyre.

Comments