Interesim i madh i banorëve të fshatrave të Tetovës për tu vaksinuar

295

“Përshëndetje. Jeni të mirëseardhur të vaksinoheni, vaksina ka. Në rregull shkon, a dëshiron ta maresh? Urdhëroni, mund të vini menjëherë. Duhet ta merrni, të përgatiteni, të jeni të mbrojtur prej sëmundjeve. Nëse dëshironi urdhëroni, sepse jemi vetëm një orë këtu se do ikin në fshatrat tjerë, Pallaticë, Uzurmisht, Trebosh, nëse doni urdhëroni”.

Në këtë mënyrë, motra medicina Hava Sinani iu bën thirrje për vaksinim banorëve të fshatrave të Zhelinës. Me fillimin e vaksinimit në terren, ajo së bashku me ekipin vizituan rreth 8 fshatra të Zhelinës. ALSAT ishte në disa zona, ku ekipi i imunizimit ishte për vaksinim.

Unë banorët i bindi të vaksinohen sepse unë kam 33 vjet që punoj me vaksinim. Në këto fshatra shkoj çdo muaj dhe më njohin të gjithë. Kur vij thonë ka ardhur motra jonë që na ka shërbye gjithë jetën. I kam vaksinuar si bebe, tash janë rritë, janë martua. I vaksinoj dhe fëmijët e atyre, I kam vaksinuar edhe nënat e tyre prindërit kam 33 vjet që punoj në punktin e Zhelinës dhe prandaj nuk ka problem – u shpreh Hava Sinani, Motër Medicinale – fshati Zhelinë.

Banorët e anketuar nga ALSAT thanë se deri tash nuk janë vaksinuar sepse kanë hezituar të shkojnë deri në qytet.

“Sot e mora lajmin në kafene se kanë marrë vaksinë këtu dhe unë erdha me dëshirën time me shoqen. Do ju kisha thënë të gjithëve të vijnë ta marrin, këtu e kanë afër, nuk duhet termin. Kështu më mirë, se të bësh termin, të presësh është shumë e lodhshme”.

“Dje na tregoi motra medicinale dhe sot vendosëm që ta marrim menjëherë sepse është për të mirën tonë, për të mirën e popullit”.

“Mendoj se është gjëja më e mirë që duhet të bëj çdo njeri. Përveç se mbrojmë veten tonë, mbrojmë dhe tjerët. Unë jam paraqitur, Akoma nuk më ka ardhur termini. Të gjithë familjarët e mi e kanë pranuar vaksinën”.

Mjekët thonë se nga sot në dispozicion të qytetarëve nëpër fshatra do jenë nga dy ekipe mobile.

Interesim ka nga qytetarët, zakonisht janë grup moshat të cilat nuk kanë mundur të vaksinohen nëpër punktet qendrore nëpër qytete. Kryesisht moshat mbi 55-60-65 vjeçare. Çdo ditë në dispozicion janë nga dy ekipe mobile që do vaksinojnë nëpër fshatra – u shpreh Besnik Mustafai, Koordinator i Qendrës së vaksinimit në Tetovë.

Ekipet mobile kanë kapacitet që të imunizojnë Brenda ditës deri në 600 qytetar. Në dispozicion për qytetarët janë vaksina kineze Sinovak dhe Astra&Zeneca.

Vjollca Aliti

Comments