Ja kur hapet Teatri i ri shqiptar në Shkup
Teatri Kombëtar Shqiptar vazhdon të jetë i mbyllur për publikun. Edhe pse punimet kanë përfunduar dhe ministrja e Kulturës paralajmëroi më herët këtë vit se teatri do të hapet në pranverë, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Drejtori i këtij teatri, Adem Karaga në një deklaratë për Portalb.mk, ka sqaruar arsyet se pse hapja e teatrit nuk u bë në pranverë. Sipas tij, është planifikuar që hapja të bëhet më 10 korrik, për të shënuar përvjetorin e 71 të themelimit të Teatrin Kombëtar Shqiptar në Shkup.
Ai tha se, kanë pasur probleme me kulmin por, siguroi se për të njëjtat janë ndërmarrë masat e duhura. Po ashtu, theksoi se pandemi ka zvarritur çështjen e hapjes.
“Sigurisht që brenda gjithë kësaj periudhe ne, si çdo shtëpi normale dhe institucione, kërkon kohën e mirëmbajtjes dhe kërkesave që shtëpia ka vazhdimisht. Ne kemi pasur disa telashe të vogla me kulmin, gjë për të cilën ne kemi marrë masa e duhura për tu rregulluar dhe me keqardhje shumë të madhe për hir të situatave pandemike që ne të gjithë i përjetuam. Për fat keq vjet në 70 vjetorin e teatrit ne nuk patëm mundësi për të bërë hapjen e teatrit, sigurisht rrethanave dhe sivjet po e gjejmë rastin dhe mundësinë e 71 vjetorit të ditëlindjes së teatrit që nga shfaqja e parë e cila ka ndodhur në 1950 më 12 korrik, është bërë premiera e parë në teatrin shqiptar, “Martesa e Gogolit”. Kështu që, rreth këtyre datave do të synojmë të bëjmë edhe hapjen e teatrit apo rihapjen e teatrit pas përfundimit të punimeve që ne pas një periudhe 5 vjeçare po kthehemi në shtëpinë tonë amë të rejat e shumta për spektatorët e teatrit dhe publikun tonë”, tha ai.
Karaga sqaroi se në kuadër të hapjes do të ketë aktiviteteve disa ditore, ndërsa shfaqja e cila është bërë gati që në vitin 2019 në tekst të Teki Dervishit dhe në regji të Altin Bashës, është “Bregu i Pikëllimit”, ku në rol kryesor ka qenë aktori tani më i ndjerë, Luran Ahmeti.
“Si do që të jetë, kjo edhe pse ishte e dedikuar si shfaqja e hapjes ne do e japim shfaqjen në formë të projeksionit , ku më datë 10 konkretisht ne do të bëjmë hapjen e teatrit, ku do vijojnë më pas aktivitete të tjera, më 11 prap projeksioni dhe për hir të masave të pandemisë të 30 përqindshit të publikut, do të duhet të bëjmë ndarjen e publikut në disa faza. Do të thotë, nëse kjo është dita e parë, dita e dytë është me po të njëjtin karakter përsëri do të jepet repriza e projeksionit të “Bregut të Pikëllimit” që do të jetë konkretisht për pjesën e stafit, kolegëve bashkëpunëtorëve të teatrit, pjesës reprezentative artistike, qoftë në vend apo qoftë edhe mysafirëve që mund të na vijnë nga jashtë. Data 12 që është edhe ditëlindja e teatrit tonë, ne këtë datë do të duam ta ndajmë me artdashësit dhe publikun tonë të teatrit, ku të gjithë së bashku do të festojmë edhe ditëlindjen e teatrit në saje të rihapjes. Dhe më pas kemi në pritje menjëherë premierën e hapur të shfaqjes së fundit që ne patëm si premierë të mbyllur këtyre ditëve që u bë gati që të jepet për publikun. Është regjisorja Kaltrina e cila pati mundësinë për ta punuar “Lezetet e tradhtive bashkëshortore”, deklaroi drejtori i Teatrit Kombëtar Shqiptar.
Rikonstruimi i teatrit shqiptar filloi në vitin 2014. Gjatë kohës sa kanë zgjatur punimet, trupa e teatrit u zhvendos në një objekt tjetër.
Ndryshe, hapja solemne e Teatrit Shqiptar në Shkup që nga nëntori i vitit 2019, ishte në procedurën e pranimit teknik, që nënkupton dhënie të lejes për lëshim në përdorim të objektit nga Ministria e Transportit dhe Lidhjes.
Teatri Shqiptar i Shkupit pothuajse 7 vite ka qenë nën rinovim. Lëshimi në përdorim i së njëjtës është shtyrë disa herë.