Kandidati i pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari, i cili i ka fituar në zgjedhjet e sotme, në mesazhin e fitores ka theksuar se “secili prej jush që ka votuar sot, e ka lënë me dorën e vet një shenjë të rëndësishme në histori”.
“Urime fitorja të gjithëve. Me kërkesën tuaj si qytetarë për t’i dëgjuar hallet tuaja në vizita dhe takime të panumërta, ju ma dhatë një obligim të shenjtë. Gjatë fushatës time kemi biseduar mes vete me sinqeritet, dhe ju kam premtuar vetëm ato gjëra që jam në gjendje t’i mbroj edhe me çdo kusht: transparencën, llogaridhënien, qeverisjen e pastër”, ka thënë Jashari.
Ai më tutje ka thënë, “njëzëri ne dolëm me zotimin tonë kryesor: Bashkë për Skenderajn tonë. Njëzëri ne mbajtëm fjalën dhe në vendvotime, u bëmë bashkë për Skenderajn tonë. Secili prej jush që ka votuar sot e ka lënë me dorën e vet një shenjë të rëndësishme në histori. Sot Skenderaj dha mesazh se vetë qytetarët duhet të qeverisin me Komunën. Kjo, të dashur vendas, është fitorja juaj”.
“Nga nesër fillon koha jonë për të ndërtuar të ardhmen e fëmijëve tonë; për të ndërtuar transparencë dhe llogaridhënie në qeverisje; për të ri-kthyer shpresën dhe për të ndërtuar prosperitetin; për t’ju rikthyer idealeve të të parëve tanë që thellë në shpirtin e tyre kanë besuar gjithmonë se duhet të jemi të gjithë të bashkuar për Kosovën tonë, për Skenderajn tonë. Urime Skenderaj, urime miq dhe dashamirë, urime qytetarë të Skenderajt! Ju sot në Skenderaj me dorën e tuaj ndërtuat këtë copë histori! Nesër vazhdojmë me punë, të përkushtuar, të hapur, dhe me faqe të bardhë! Sonte le të festojmë së bashku. Urime”, ka thënë Jashari.