“Kam gjetur parregullsi në këtë gjykatë”, komandant Hoxha nis dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë Ismet Tara në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmitari i cili gjatë luftës kishte nofkën “Komandant Hoxha”, mban kodin W04745 dhe është i 123-ti në listën e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Ai po merret në pyetje nga Prokurorja Vega Iodice.
Pasi bëri betimin solemn, dëshmitari tha se dëshiron të shpreh shqetësimet e tij lidhur me parregullsitë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në pyetjen e parë të Prokurores sime unë dëshirojë ta shprehu shqetësimin tim lidhur…”, tha dëshmitari fjala e të cilit u ndërpre nga kryegjyqtari i cili tha se deklaratën mund ta bëjë pasi të përfundojë dëshmia e tij.
“Dua të shpreh shqetësimet e mija në bazë të asaj që kam gjetur parregullsi në këtë gjykatë pastaj të flas”, tha ai.
Atij iu ndërpre mikrofoni nga kryegjyqtari duke i sqaruar që pasi të përfundojnë pyetjet dhe dëshmia e tij, atëherë ai mund t’i ngre shqetësimet e tij.
Ndërsa, në pyetjet e prokurores, Vega Iodice, ai tha është ish-ushtar i Jugosllavisë në Sarajevë.

“Kam qenë ish-ushtarë i Jugosllavisë në vitin 83-84 në Sarajevë”, tha ai.
Vlen të shtohet se një pjesë e dëshmisë së tij nuk është duke u dëgjuar për shkak se ai është duke folur para se të iu hapet mikrofoni.
Sipas kryegjyqtarit, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth 3 ditë. Prokuroria ka parashikuar rrethe 6 orë ndërsa ekipet e mbrojtjes rreth 8 orë e gjysmë për kunderpyetjet e veta.
Në fillim të seancës u dha një urdhër sa i takon rregullës 153 pasi që ZPS-ja kishte kërkuar që ti vendoset një numër prove një materiali të dëshmitarit W04394 që u pranua si dokument.
Prokuroria ka thënë se për një gabim administrativ nuk iu është vendosur numri këtij dokumenti. Si rrjedhojë, këtij dokumenti iu vendos një numër prove materialit në fjalë e që është dëshmia e dëshmitarit.
Ndërsa për organizimin e një dokumenti të protokolluar, kryegjyqtari urdhëroi që të kalohet në seancë private.
Vlen të theksohet se katër të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit duke përshirë edhe Hashim Thaçin i cili në seancat e javës së kaluar nuk mori pjesë për arsye shëndetësore.