Kamberi në Kuvendin e Serbisë: Demo Berisha nuk përfaqëson shqiptarët e Luginës

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në fjalën e tij të fundit në seancën, në të cilën pritet të formohet qeveria e re e Serbisë, ka drejtuar kritika.
Kamberi ka thënë se qeveria e re e Serbisë nuk ka asnjë dallim nga e kaluara, duke e vënë theksin te Demo Berisha, i cili është propozuar që të jetë ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Serbisë.
Sipas Kamberit, Berisha në asnjë moment nuk përfaqëson shqiptarët dhe se emërimi i tij do të jetë në dëm të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Pakicat do të vazhdojnë të jenë të margjinalizuara dhe të diskriminuara. Pa një plan të qartë për integrimin e tyre në jetën shoqërore të këtij vendi, të drejtat kolektive nuk realizohen me zgjidhje deklarative dhe personale, por me programe konkrete — të cilat mungojnë. Si përfaqësues i pakicës kombëtare shqiptare dhe si përfaqësuesi i vetëm i tyre politik në këtë kuvend, theksoj se kandidati për ministër për pakicat përfaqëson një nga zgjidhjet më kontroverse kadrovike. Emërimi i tij ngjall shqetësim jo vetëm për shkak të së kaluarës së tij politike, por edhe për shkak të mesazhit se lojaliteti ndaj regjimit është më i rëndësishëm se profesionalizmi, integriteti dhe përgjegjësia politike. Kandidati juaj perceptohet në publik si politikan pa një profil të qartë programor, por me lidhje të forta brenda strukturave të pushtetit, çka e bën shembull të “oportunizmit kadrovik”. Prania e tij në qeveri bazohet në pragmatizëm politik dhe në nevojën për të simuluar përfshirjen, veçanërisht sa i përket përfaqësuesve të komuniteteve pakicë, sidomos asaj shqiptare. Përdorimi i këtij kandidati si alibi për përfaqësimin e supozuar të shqiptarëve në institucionet e shtetit, do të jetë i dëmshëm për interesat reale të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, por edhe për marrëdhënien e tyre me këtë shtet”, ka thënë Kamberi ndër të tjera.
Demo Berisha, i cili ka lindur në Pejë, është i njohur si shqiptari që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është deklaruar publikisht se atdheu i tij është Serbia.
Fjalimi i plotë i Kamberit, pa ndërhyrje:
Beteja jonë do të vazhdojë!
Ne do të jemi të durueshëm dhe këmbëngulës në luftën tonë për një pozitë më të drejtë.
Zgjedhja e kësaj Qeverie të Serbisë paraqet një politikë të kontinuitetit dhe jo një ndryshim thelbësor në drejtimin politik të vendit. Pra, vazhdim i një politike që ka çuar në kriza të shumta — politike, shoqërore dhe institucionale. Prandaj zgjedhja e saj duket më shumë si përpjekje e regjimit për të ruajtur iluzionin e reformave sesa si një tranzicion i vërtetë politik.
Edhe kjo qeveri formohet në hijen e parregullsive zgjedhore dhe të cenimit të rëndë të sundimit të ligjit, në një atmosferë të regresit demokratik, gjuhës së urrejtjes ndaj kundërshtarëve, madje edhe kur bëhet fjalë për pjesëtarë të popullit shumicë. Them edhe për pjesëtarët e shumicës sepse gjuha e urrejtjes ndaj pjesëtarëve të pakicave është bërë përditshmëri për përfaqësuesit e pushtetit.
Serbia po zgjedh qeverinë e saj të tetë brenda vetëm 13 vjetësh. Mesatarisht, çdo qeveri ka zgjatur më pak se 2 vjet, çka flet mjaft për atmosferën politike të të paqëndrueshme dhe përkohshmërinë e institucioneve të saj.
Ekspozeja e kryeministrit, për fat të keq, mohon krizën aktuale politike dhe nuk ofron një vizion të qartë për zgjidhjen e problemeve të mëdha. Veçanërisht shqetësuese është fakti që çështjet e politikave për pakicat kanë mbetur thuajse plotësisht të margjinalizuara, pasi në program nuk ofrohen asnjë zgjidhje për problemet e akumuluara për dekada.

Në një moment kur marrëdhëniet ndëretnike dhe pozita e pakicave janë të vështira, një qasje e tillë nuk kontribuon as në përfshirje, as në stabilitet, as në integrimin e tyre të barabartë dhe të drejtë në institucionet shtetërore. Për shqiptarët, çështja e integrimit në institucionet shtetërore, njohjes së diplomave dhe ndalimit të procesit të pasivizimit selektiv është veçanërisht e theksuar.
Ajo që e diskualifikon më tej këtë qeveri është mungesa e guximit politik për t’u përballur me trashëgiminë e së kaluarës. Asnjë fjali nuk u tha për trashëgiminë e kaluar kriminale, për krimet e luftës dhe për ndëshkimin e përgjegjësve. Ndaj Kosovës, vijon politika e mohimit të fakteve dhe e refuzimit për t’u përballur me realitetin.
Në vend që të nxisë procesin e përballjes me problemet politike dhe shoqërore që kanë shënuar mandatet e mëparshme, regjimi ngul këmbë në vazhdimësinë, duke shmangur përgjegjësinë dhe çdo reflektim serioz.
Në tërësi, qeveria e re më shumë ngjan me një ristrukturim kozmetik të qeverive të mëparshme sesa paraqet një epokë të re politike. Është e qartë se regjimi nuk ka ndërmend të ndryshojë në të vërtetë, por vetëm të ruajë status quon me petkun e ri.
Në këtë kuptim, qytetarët dhe shoqëria në tërësi mbeten peng i një strukture politike që në mënyrë sistematike shmang përgjegjësinë dhe dialogun, dhe në vend të një vizioni, ofron lojalitet ndaj hierarkisë partiake dhe “stabilokracisë” që ka shkatërruar institucionet dhe ka krijuar një demokraci hibride de facto.
Pakicat do të vazhdojnë të jenë të margjinalizuara dhe të diskriminuara. Pa një plan të qartë për integrimin e tyre në jetën shoqërore të këtij vendi, të drejtat kolektive nuk realizohen me zgjidhje deklarative dhe personale, por me programe konkrete — të cilat mungojnë.
Si përfaqësues i pakicës kombëtare shqiptare dhe si përfaqësuesi i vetëm i tyre politik në këtë kuvend, theksoj se kandidati për ministër për pakicat përfaqëson një nga zgjidhjet më kontroverse kadrovike. Emërimi i tij ngjall shqetësim jo vetëm për shkak të së kaluarës së tij politike, por edhe për shkak të mesazhit se lojaliteti ndaj regjimit është më i rëndësishëm se profesionalizmi, integriteti dhe përgjegjësia politike.
Kandidati juaj perceptohet në publik si politikan pa një profil të qartë programor, por me lidhje të forta brenda strukturave të pushtetit, çka e bën shembull të “oportunizmit kadrovik”.
Prania e tij në qeveri bazohet në pragmatizëm politik dhe në nevojën për të simuluar përfshirjen, veçanërisht sa i përket përfaqësuesve të komuniteteve pakicë, sidomos asaj shqiptare.
Përdorimi i këtij kandidati si alibi për përfaqësimin e supozuar të shqiptarëve në institucionet e shtetit, do të jetë i dëmshëm për interesat reale të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, por edhe për marrëdhënien e tyre me këtë shtet.
Ky kandidat bëhet simbol i instrumentalizimit të politikës së pakicave në shërbim të marketingut të regjimit. Në një moment kur nevojitet një dialog autentik dhe një integrim i sinqertë i të gjithë qytetarëve, emërimi i tij duket si një veprim cinik që i shërben vetëm propagandës së regjimit.
Por mos u shqetësoni, ERËRAT E NDRYSHIMIT po fryjnë në këto anë — do t’ju fryjnë edhe juve. Ne do të jemi të durueshëm dhe këmbëngulës në luftën tonë për një pozitë më të drejtë.